Me 46 milionë euro do të modernizohen gjashtë hidrocentrale në RMV

Me 46 milionë euro, prej të cilave 35 milionë euro kredi nga banka gjermane për zhvillim KfW dhe 10.7 milionë euro mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vitet e ardhshme do të modernizohen gjashtë hidrocentrale të mëdha: Vrutoku, Vërbeni, Raveni, Tikveshi, Shpilja dhe Globoçica, në kuadër të tre sistemeve hidroenergjetike “Mavrova”, “Drini i Zi” dhe “Tikvesh”, transmeton Portalb.mk.

Do të investohet në zëvendësimin e pajisjeve të vjetruara, me çka do të reduktohen ndërprerjet në punë, do të zgjatet jetëgjatësia e impianteve dhe do të rritet siguria operacionale, duke mundësuar balancim të sigurt dhe furnizim me energji elektrike të sistemit elektroenergjetik.

“Përfitimet nga modernizimi janë të drejtpërdrejta dhe të matshme – do ta zgjasim jetëgjatësinë e punës dhe do ta rrisim kapacitetin e instaluar të hidrocentraleve të mëdha me 13.5 megavatë shtesë, duke siguruar prodhim të ri vjetor prej 50 gigavat-orësh energji elektrike të pastër. Rritja e prodhimit dhe e vëllimit të shërbimeve të balancimit të sistemit do të na sjellë të paktën 5 milionë euro të ardhura shtesë në vit“, deklaroi Llazo Uzunçev, kryetar i Bordit Drejtues dhe drejtor i përgjithshëm i SHA EMV.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me investimin do të mundësohet rritja e portofolit të prodhimit të SHA EMV në pjesën e burimeve të rinovueshme të energjisë, duke siguruar kështu energji elektrike cilësore.

“Po shkojmë në drejtim të të qenit neto-zero kur të bëhet, përkatësisht të llogaritet diferenca mes energjisë elektrike të prodhuar dhe asaj të konsumuar. Prej disa muajsh jemi mbi ose rreth 95 për qind dhe synojmë të jemi neto-zero në fund të vitit. Mendoj se vitin e ardhshëm madje do të kemi edhe teprica të caktuara”, tha Mickoski.

Sipas Mihalis Rokasit, ambasador i Bashkimit Evropian, vendi ka potencial të madh hidroenergjetik, por për shfrytëzimin e tij nevojitet modernizimi i impianteve.

“BE-ja kontribuoi në revitalizimin e gjashtë hidrocentraleve me grant në vlerë prej 11.2 milionë eurosh. Përmes Planit të Rritjes, do të vazhdojmë me mbështetje financiare dhe këshilluese për sektorin energjetik në vend”, deklaroi Rokas.

HidrocentraleHristijan Mickoski HristianKomisioni Evropian (KE)