MPB dhe FBI zbuluan treg ilegal online për të dhëna të vjedhura, kallëzim penal ndaj 20-vjeçarit nga Tetova

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër 20-vjeçarit E.A. nga fshati Reçicë e Madhe e Tetovës, pasi në një aksion të përbashkët me Byron Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI) është zbuluar se ai administronte një treg ilegal online për shitjen e të dhënave të vjedhura, shkruan Portalb.mk.

I riu nga Tetova dyshohet për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Keqpërdorim i të dhënave personale” dhe “Prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve”, njoftoi MPB-ja. Hetimi nga Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së kishte nisur pas informacioneve fillestare të marra nga FBI-ja për aktivitete kriminale të lidhura me platformën ilegale online OLVX.

Sipas provave të siguruara, i dyshuari gjatë periudhës 2023–2025 administronte domenet dhe faqet e internetit të kësaj platforme, e cila shërbente për shitjen e të dhënave digjitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve për kryerjen e krimeve kompjuterike. Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelë kibernetikë që tregtonin të dhëna personale. Përmes këtij tregu ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje në llogari përdoruesish dhe rrjete kompjuterike të viktimave.

Gjatë hetimit është konstatuar gjithashtu se, nga viti 2025 deri në vitin 2026, i kallëzuari drejtonte grupin ilegal ONEMILI në aplikacionin e komunikimit Telegram. Përmes këtij grupi ofroheshin mjete dhe shërbime për krime kompjuterike, përfshirë skema mashtrimi për rimbursim të paligjshëm të parave. Policia ka siguruar prova se i dyshuari, përmes Telegramit, siguronte për vete dhe posedonte materiale që përmbanin abuzim seksual me fëmijë. Nga MPB-ja thonë se ky është operacioni i parë i përbashkët dhe i koordinuar kibernetik ndërmjet policisë së Maqedonisë së Veriut dhe FBI-së për zbulimin dhe luftimin e krimit të organizuar kompjuterik.

Aksion policorKriminel(e) KriminalitetMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Tetova