Gjinekologu dhe ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës, Muhamed Asani, i cili që në prill është dënuar përfundimisht me tre vjet burg, pasi pacientes Jalldëz Veaposka nga Dibra, gjatë lindjes me prerje cezariane, i ka hequr mitrën, vezoren dhe veshkën, ka kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve për “Sloboden Peçat” thonë se ai duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues të hapur në Strugë më 20 shtator, përkatësisht pas tre ditësh nga sot.
“Bazuar në informacionet e marra nga Institucioni Ndëshkues-Përmirësues, ju njoftojmë se të dënuarit me vendim të formës së prerë, doktor Muhamed Asani, nga gjykata i është miratuar shtyrja e vuajtjes së dënimit me burg deri më 19.9.2026. Në përputhje me afatin e përcaktuar, ai duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues të hapur në Strugë më 20.9.2026”, deklaroi për “Sloboden Peçat” Tamara Anastasovska nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Gjykata e Apelit në Manastir e hodhi poshtë ankesën e tij dhe e konfirmoi dënimin me burg për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Gjithashtu, Gjykata e Apelit për gjinekologun Asani konfirmoi edhe sanksionin plotësues – pesë vjet ndalim për ushtrimin e profesionit, veprimtarisë ose detyrës së mjekut.
Rastin e zbuloi “Sloboden Peçat” para pesë vitesh. Në atë kohë, Veaposka dha deklaratën e saj të parë:
” Sapo u zgjova nga operacioni, më kapën dhimbje të mëdha në bark. Më thanë: mos u frikëso, nuk është asgjë, dhe më dhanë injeksione kundër dhimbjeve. Më lanë kështu katër ditë me dhimbje. Pas disa ditësh, djali i drejtorit më tha të përgatitesha të shkoja në shtëpi. Unë i thashë se nuk po fliste me një grua të paarsimuar, por me një personel mjekësor dhe se e dija që nuk isha mirë.
Barku më ishte fryrë aq shumë, saqë kur isha shtatzënë ishte më i vogël sesa pasi linda. Ndjeja se më dhembte i gjithë trupi pas operacionit. Refuzova të shkoja në shtëpi, përveç nëse donin të më nxirrnin nga spitali me krevat. Erdhi babai i tij dhe më tha: shko në shtëpi, do të hash supa të ngrohta dhe do të të kalojë. I thashë: doktor, nuk jam për në shtëpi. Analizat që më bënë atë mëngjes ishin katastrofale. Vlerat e gjakut po më binin. Megjithatë, më liruan nga spitali dhe i thashë burrit: eja të më marrësh, më ço diku në Shkup, nuk jam për në shtëpi.
Erdhi burri të më merrte, ndërsa infermieret më thanë të përgatisja beben, kurse unë nuk mund të qëndroja në këmbë. Më thoshin: Pse shtirësh? Në atë moment u dëshmua se nuk po shtiresha, sepse rashë në shok, më dridhej i gjithë trupi, bërtisja dhe qaja. I telefonova burrit, i thashë të gjente një mjek dhe i thashë: unë po vdes. Burrit i thanë se nuk kisha asgjë, se kjo më vinte nga ija. Pasi rashë në shok, më futën në sallë, më hoqën mitrën, veshkën, vezoren dhe më dërguan pothuajse të vdekur në Shkup. Nuk dija asgjë, ndërsa më vonë, gjatë një kontrolli privat në “Sistina”, kuptova se kisha një vezore. Mund ta imagjinoni se në çfarë gjendjeje isha” rrëfeu para pesë vitesh Veaposka për “Sloboden Peçat”.
Që atëherë, lënda ishte në rrezik të parashkruhej, për të cilën Veaposka alarmonte vazhdimisht. Sipas aktgjykimit të Apelit, si pasojë e mënyrës së papërshtatshme të trajtimit nga doktor Muhamed Asani, Veaposka mbeti pa tre organe të shëndosha – mitrën, vezoren dhe veshkën e majtë, organe që ajo i kishte para se të hynte në spital për një ndërhyrje rutinë operative – lindje me prerje cezariane.
Asani është dënuar sepse nga 27 gushti 2020 e tutje, në cilësinë e mjekut specialist gjinekolog në spitalin e Strugës, gjatë ofrimit të ndihmës mjekësore ndaj Veaposkës ka vepruar në mënyrë të pakujdesshme dhe ka zbatuar një mënyrë dukshëm të papërshtatshme trajtimi. Pasi Veaposka ishte pranuar në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, në javën e 40-të të shtatzënisë i ishte bërë lindja me prerje cezariane, e cila kishte përfunduar pa komplikime.
Por, gjatë katër ditëve pas operacionit, nga ana e doktor Muhamed Asanit nuk ishin ndërmarrë procedura diagnostikuese, nuk ishte bërë ekzaminim me ultratinguj dhe as tomografi e kompjuterizuar e abdomenit dhe pelvisit të vogël me kontrast, për të përcaktuar pse te Veaposka vazhdimisht po uleshin vlerat e elementeve të gjakut dhe nëse kjo ishte pasojë e gjakderdhjes.
Veaposka nuk ishte ekzaminuar as me kontroll gjinekologjik vaginal, e as me ultratinguj vaginal, për të përcaktuar se nga vinte gjakderdhja. Kjo ishte e domosdoshme për të përcaktuar burimin e gjakderdhjes dhe për të kryer në kohë ndërhyrjen kirurgjikale për ndalimin e saj që në ditën e parë pas prerjes cezariane.
Në vend që të diagnostikonte shkakun e uljes së vazhdueshme të vlerave të gjakut, Muhamed Asani më 31 gusht 2020 e liroi Veaposkën nga spitali pa i bërë analiza kontrolluese të gjakut, duke bërë kështu lëshime edhe në ndjekjen e gjendjes së saj pas operacionit cezarian.
Po atë ditë kur Veaposka duhej të lirohej nga spitali, gjendja e saj e përgjithshme shëndetësore u përkeqësua dhe ajo pësoi shok hemorragjik, për shkak të së cilës u fut në sallën e operacionit. Gjatë operacionit u konstatua një sasi e madhe përmbajtjeje të përgjakshme në bark dhe hematoma pranë vezores dhe tubit të majtë. Asani bëri një prerje kirurgjikale gjatësore në bark, gjatë së cilës, edhe pse gjakderdhja vinte nga arteria renale e majtë, ai i hoqi Veaposkës mitrën, vezoren e majtë dhe tubin e majtë, edhe pse këto organe nuk kishin asnjë dëmtim. Më pas e mbylli plagën e Veaposkës, pa zbuluar konkretisht se nga vinte gjakderdhja, për shkak të së cilës gjendja shëndetësore e Veaposkës vazhdoi të përkeqësohej.
Meqë gjakderdhja nuk i ndalej, ajo u operua për herë të dytë nga kirurgë, të cilët zbuluan se burimi i gjakderdhjes ishte dëmtimi i arteries renale të majtë. Për shkak të pamundësisë për të rindërtuar arterien renale, ajo duhej të lidhej dhe të hiqej edhe veshka e majtë – një procedurë e domosdoshme për t’i shpëtuar jetën Veaposkës. Pas përfundimit edhe të këtij operacioni, ajo u transferua në gjendje të rëndë dhe u intubua në TOARILUC në Shkup, në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
Ekspertët gjatë gjykimit konfirmuan se Muhamed Asani kishte për detyrë, por megjithatë nuk e kishte ndjekur siç duhet gjendjen e Veaposkës pas operacionit. Që në ditën e parë pas prerjes cezariane, sipas tyre, kishte një pasqyrë të qartë klinike se Veaposka po humbiste gjak dhe se, nëse atëherë do të ishin ndërmarrë procedurat diagnostikuese, nuk do të ishte zhvilluar shoku i rëndë hemorragjik.