Ministrja Vesna Janevska paralajmëroi mbyllje të mundshme të universiteteve në RMV

Pesë universitete janë nën monitorim, tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pa bërë të ditur se për cilat institucione konkretisht bëhet fjalë. Gjithashtu ajo tha se edhe pesë-gjashtë institute të tjera janë në proces mbylljeje, shkruan Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi mbylljen e mundshme të disa universiteteve në vend.

E pyetur se cili është epilogu i aktiviteteve për “kontrollimin e universiteteve” deri më tani, Janevska tha se në disa institucione ka parregullsi në funksionim dhe po përpiqen t’i rregullojnë në çdo mënyrë të mundshme.

“Për momentin, ende po veprojmë në bazë të denoncimeve nga persona të caktuar ose nga një grup profesorësh. Por ajo që është e mirë është se, ndryshe nga e kaluara kur Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë nuk funksiononte fare, domethënë jepnin akreditime si për institucionet që i plotësonin kriteret, ashtu edhe për ato që nuk duhej t’i merrnin. Me këtë Qeveri, sigurisht, kemi filluar vlerësimet”, tha Ministrja Vesna Janevska.

Duke vazhduar përgjigjen e saj, ajo iu referua detajeve të vlerësimeve. Ajo nuk përmendi emra specifikë institucionesh, por bëri të ditura shifra për numrin e institucioneve që janë nën vlerësim.

“Vlerësimet e para të kryera me ekspertë të huaj tregojnë se disa universitete po ecin mirë, por disa universiteteve do t’u hiqen akreditimet. Megjithatë, ka afate për këtë dhe ne i respektojmë ato. Ne e respektojmë ligjin. Ndërsa kalojnë afatet për ankesa ose nëse diçka mund të korrigjohet, ato institucione që nuk i korrigjojnë mangësitë do të mbyllen. Dhe kjo po ndodh gradualisht. Deri më tani, 18 institute dhe një fakultet privat – një shkollë e lartë profesionale janë mbyllur. Jemi në proces të mbylljes së disa të tjerave, mos më merrni për fjalë, por pesë-gjashtë institute, me siguri do të mbyllen dhe po kryejmë inspektime ose monitorime në të paktën pesë universitete të tjera”, tha Vesna Janevska.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) më 16 shkurt filloi me vizita në universitetet në vend, si pjesë e debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë. Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, përfaqësues nga MASH do të takohen me të gjithë profesorët që duan të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutohen nenet kontroverse të Ligjit.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit. Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Universitet(e)Vesna Janevska