Vërejtjet e arsyeshme për Propozim-Ligjin për arsimin e lartë, i cili është publikuar në ENER, do të pranohen, ndërsa për ato problematike do të diskutohet. Ky është qëndrimi i ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, transmeton Portalb.mk.
Sipas Janevskës, debati publik ende po vazhdon dhe do të përfundojë pas dy javësh.
Në ndërkohë, universitetet deri atëherë duhet t’i dorëzojnë vërejtjet e tyre të integruara.
Nga java e ardhshme, përfaqësues të ministrisë do t’i vizitojnë universitetet dhe do të bisedojnë me profesorët për ndryshimet e propozuara në Ligjin për arsimin e lartë.
“Çdo gjë që e konsiderojmë të arsyeshme do të pranohet. Çdo gjë që vlerësojmë se mund të paraqesë problem, do të diskutohet”, tha Janevska.
Shkurtimi i programeve studimore me tre deri në pesë studentë ka shkaktuar revoltë të madhe në opinion, për çka kanë reaguar ashpër studentë dhe profesorë.
Reagime pati edhe për detyrimin që kuadri universitar, i cili ka aplikuar për zgjedhje në titull shkencor, deri në momentin e zgjedhjes të publikojë 3 deri në 4 punime shkencore në revista nga bazat e Web of Science ose Scopus.
Ministrja tha se nuk ka shumë vërejtje për ndryshimet ligjore, por ka disa nene kontestuese të Ligjit për arsimin e lartë për të cilat do të debatohet.
Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.
- LEXO: Studentët reaguan ndaj deklaratës së ministres Janevska për heqjen e studimeve ndërkombëtare dhe ndërkulturore
- LEXO: Janevska prezantoi ligjin e ri për arsim të lartë, universitetet që nuk përmbushin kritere të caktuara do të marrin më pak para
- LEXO: Janevska: Zgjidhja e re ligjore nuk ndikon në autonominë e universiteteve, por ata do të duhet të jenë të përgjegjshëm
- LEXO: Projektligji për Arsimin e Lartë në Maqedoninë e Veriut do të shpaloset të hënën në ENER