Pavarësisht premtimeve të ministres së Arsimit, Vesna Janevska se nxënësve nuk do t’ju mungojnë librat këtë vit shkollor, situata nëpër shkolla e tregon të kundërtën. Në shkollat profesionale vazhdojnë të mungojnë librat, ndërsa mësimdhënësit detyrohen që të gjejnë materiale alternative si skripta apo prezantime. Edhe pse nuk arrin t’ua sigurojë nxënësve mjetin bazë të shkollimit, ministria vazhdon apelet që nxënësit të zgjedhin arsimin profesional, shkruan Portalb.mk.
Problemi me mungesën e librave nuk u zgjidh në tërësi as këtë vit. Situata më problematike paraqitet në shkollat e mesme profesionale.
Profesori i lëndëve mjekësore në shkollën e mesme “Nace Bugjoni” në Kumanovë, Kastriot Osmani për Portalb.mk tha se për disa lëndë nuk ekziston fare material i përshtatshëm mësimor, ndërsa në lëndë të tjera përdoren skripta të përgatitura nga vetë ligjëruesit, apo siç tha ai, si libri i Mikrobiologjisë që është i papërshtatshëm për drejtimin mjekësor.
“Mësimi shpesh mbështetet vetëm në shënimet gjatë orës, prezantimet ose materialet që profesori arrin t’i përgatisë vetë. Kjo nuk mund ta zëvendësojë plotësisht një tekst profesional të strukturuar”, thotë Osmani.
Ai veçon Farmakologjinë, Pediatrinë dhe Neuropsikiatrinë, për të cilat, sipas tij, nuk ka material të përshtatshëm, ndërsa për Kirurgjinë dhe Gjinekologjinë shfrytëzohen skripta të përgatitura nga ligjëruesit e lëndëve. Osmani tregon se për shkak të kësaj situate, edhe vetë është detyruar të përpilojë material shkollor për lëndën e Neuropsikiatrisë.
“Përveç ligjërimit, detyrimi për të marrë edhe rolin e hartuesit të materialit mësimor është gjë që kërkon shumë kohë dhe angazhim shtesë”, thekson ai.
Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me ngarkesën shtesë për mësimdhënësit, por drejtpërdrejt ndikon edhe te nxënësit, të cilët nuk kanë një burim të unifikuar për të mësuar dhe për t’u përgatitur në mënyrë të pavarur.
“Nxënësit janë ata që humbin më së shumti, sepse nuk kanë një burim bazë dhe të unifikuar prej të cilit mund të mësojnë, të përsërisin dhe të përgatiten në mënyrë të pavarur. Sigurimi i librave profesionalë ose i materialeve zyrtare të standardizuara është i domosdoshëm për të garantuar cilësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit”, nënvizoi Osmani.
Fatri Saliu profesor i lëndëve teknike në SHMTK “Nace Bugjoni” Kumanovë, për Portalb.mk, tha se shkollat e mesme nuk kanë kushte të përshtatshme për zhvillimin e arsimit profesional dhe këto kushte ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e procesit arsimor, duke filluar nga mungesa e librave, pajisjeve dhe vështirësitë në përshtatjen me teknologjinë bashkëkohore.
“Gjendja në shkollat profesionale, në përgjithësi, përballet me disa sfida që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e procesit arsimor dhe në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Një nga problemet më të dukshme janë kushtet e pamjaftueshme infrastrukturore dhe pajisjet e vjetruara ose të pamjaftueshme për realizimin e mësimit praktik. Një tjetër çështje që duhet të theksohet është mungesa e teksteve dhe materialeve mësimore në gjuhën shqipe për një pjesë të profileve profesionale. Mësimdhënësit shpesh duhet të përdorin materiale të ndryshme shtesë, t’i përshtatin ose t’i përgatisin vetë, në mënyrë që nxënësit të kenë përmbajtje sa më të përshtatshme për lëndët profesionale. Kjo kërkon kohë dhe angazhim shtesë nga mësimdhënësit dhe njëkohësisht tregon nevojën për materiale mësimore më të plota dhe më të standardizuara në gjuhën shqipe”, u shpreh ai.
Saliu arsimin profesional e sheh si investim afatgjatë dhe jo vetëm si një segment i sistemit arsimor. Siç tha ai, industria po ndryshon shumë shpejt, teknologjitë po zhvillohen dhe profilet profesionale po kërkojnë gjithnjë e më shumë njohuri dhe aftësi praktike.
“Prandaj, shkollat profesionale duhet të kenë laboratorë funksionalë, pajisje bashkëkohore, materiale mësimore cilësore në të dyja gjuhët mësimore, si dhe bashkëpunim më të madh me kompanitë dhe sektorin e industrisë. Në fund, qëllimi duhet të jetë që nxënësi të dalë nga shkolla jo vetëm me një diplomë, por me njohuri dhe aftësi konkrete që mund t’i përdorë menjëherë në profesion”, nënvizoi në fund Saliu.
Pavarësisht situatës në terren, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se librat profesionalë janë në dispozicion të nxënësve, qoftë në formë të shtypur apo elektronike.
Zëvendësministri Driton Sulejmani, për Portalb.mk u shpreh se sipas ligjit librat mund të jenë në dispozicion në formë të shtypur dhe në formë elektronike.
“Librat e shkollave të mesme profesionale janë në dispozicion në të dy format, shumica në formë elektronike. MASH në vazhdimësi punon në drejtimin që nxënësit t’i kenë të dy versionet në dispozicion mirëpo e rëndësishme është që për momentin kanë të paktën në njërën prej tyre”, u shpreh Sulejmani.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Vesna Janevska, pati premtuar se nga një shtatori të gjithë nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme do të kenë në duart e tyre tekste shkollore. Por realiteti në disa shkolla e tregon të kundërtën.
Ndryshe, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Arsimit në vitin shkollor 2026/2027 në shkollat profesionale u regjistruan rreth 10.800 nxënës.