Në vigjilje të protestës së nesërme të studentëve shqiptarë lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës, kryeministri Hristijan Mickoski u garantoi studentëve se do të gjejë zgjidhje. Megjithatë, ai u bëri apel studentëve që të mos bëhen vegël në duart e BDI-së, që siç tha ai kishte kohë dy dekada, por nuk e bëri provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, raporton Alsat.
“Unë i garantoj studentët se siç janë gjetur shumë zgjidhje për shumë sfida dhe shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet zgjidhje përkatëse. Unë mendoj se atë tanimë e dinë dhe apeli im është që të mos lejojnë të jenë vegël në duart e partisë politike që ende jeton në kujtimet e së kaluarës, gjegjësisht në kohën e shekullit të kaluar”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndërkohë BDI-ja, ditëve të fundit aktivisht ka mbështetur studentët që artikulonin kërkesën e tyre para Ministrisë së Drejtësisë. Figurat më të larta të partisë së Ali Ahmetit, i kanë dhënë jehonë thirrjes për mbështetje të protestës.
Zëdhënësja e partisë, Arta Bilalli Zendeli shkruan se garancitë për të drejtat siç duket vlejnë vetëm për fushatë, ndërsa as fushatës, zëri i tyre nuk dëgjohet. “Sot studentët janë në rrugë për dinjitet. Ata në zyra, pa zë… sa keq!”, shprehet Bilalli Zendeli. Sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi thotë se studentët nuk kërkojnë asgjë më shumë se ajo çfarë u takon. “Si profesor i tyre, ndihem keq që studentët që i kemi mësuar dhe i mësojmë për drejtësi dhe ligj, sot duhet të protestojnë për drejtësi dhe për zbatim të ligjit”, shprehet Ademi.
Megjithatë sipas VLEN-it këto reagime janë manipuluese dhe tentim për ta instrumentalizuar çështjen e studentëve që e kanë lënë peng për dy dekada.
“Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng. E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë”, thanë nga VLEN.
Nga VLEN premtojnë se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe theksojnë, do të marrë epilog pozitiv.
Policia e Maqedonisë së Veriut sot (5 prill) sot ka paralajmëruar kufizime në komunikacion në lidhje me protestën e nesërme. Dje (4 prill), dy organizatorët e protestës, Mevlan Ademi dhe Jon Selimi janë ftuar për bisedë informative në stacionin policor të Bit Pazarit në lidhje me organizimin e protestës. Policia
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillkov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por kanë parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Kjo çështje ka nxitur debat dhe përplasje politike midis pozitës dhe opozitës.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Studentët e tre universiteteve kërkojnë mbështetje nga mediat për protestën e jurisprudencës: Bëhuni zëri i kësaj kauze
- LEXO: Studentët në RMV u bëjnë thirrje përfaqësive diplomatike të monitorojnë protestën e 6 prillit
- LEXO: Protestë më 6 prill në Shkup, studentëve shqiptarë iu humbi durimi: Jurisprudenca të jepet edhe në shqip (Video)
- LEXO: Studentët e tre universiteteve edhe sot kërkuan mbështetje për protestën e jurisprudencës: Bëhuni zëri i kësaj kauze
- LEXO: Provimi i jurisprudencës: Ministria e Drejtësisë e sfidon Inspektoratin e Gjuhëve dhe refuzon shqipen, pavarësisht shkeljeve të konstatuara
- LEXO: Inspektorati i Gjuhëve me vërejtje kundër ministrit të Drejtësisë: Nuk e lejoi provimin e jurisprudencës në shqip, ja çfarë duhet të bëjë (Dokument)
- LEXO: Jurisprudenca në shqip: Avokati i Popullit i propozoi Qeverisë të bëjë ndryshime ligjore (Dokument)