Të premten, më 25 shtator 2026 në orën 10:30 në Qendrën e Burimeve Qytetare në Shkup, projekti “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOC) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit“, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas, organizon një forum njëditor të titulluar “Nga komunë e hapur drejt një komuniteti aktiv: Indeksi i Hapjes 2026 dhe pjesëmarrja qytetare në nivel lokal. Forumi organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, Koalicioni Rural dhe Qendra për Inovacion Social Blink 42-21. Ngjarja do të zhvillohet në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.
Qëllimi i forumit është ta theksojë rëndësinë e një lufte gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit në nivel lokal, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha grupeve shoqërore, duke i përfshirë edhe të margjinalizuarit. Forumi i bashkon autoritetet lokale, qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe mediat në veprim të përbashkët të bazuar në bashkëpunim dhe përfshirje.
Në forum do të prezantohen gjetjet nga Indeksi i Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2026, në mënyrë që qytetarët të fitojnë një pasqyrë nëse dhe në çfarë mase komuna e tyre është e hapur dhe llogaridhënëse, dhe në bazë të kësaj të kërkojnë përfshirje më të madhe në vendimmarrjen në nivel lokal. Në të njëjtën kohë, do të prezantohen edhe sukseset e mbështetjes mentoruese që iu ofrua 10 komunave në kuadër të projektit, me theks në rritjen e hapjes dhe transparencës së tyre. Për më tepër, në ngjarje do të shpalosen përfitimet e platformës digjitale mZaednica (mKomuniteti) si një mjet për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve.
Gonce Jakovleska, Civica Mobilitas dhe Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e Programeve, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse. Gjithashtu, përveç organizatave partnere, folës në këtë ngjarje pritet të jetë edhe Sanja Stankovska, përfaqësuese nga Komuna e Kriva Pallankës.