Inspektorati i Gjuhëve me vërejtje kundër ministrit të Drejtësisë: Nuk e lejoi provimin e jurisprudencës në shqip, ja çfarë duhet të bëjë (Dokument)

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ia ka tërhequr vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin pasi nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues, shkruan Portalb.mk.

Në aktvendimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve i cili u soll pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në Ministrinë e Drejtësisë për mosdhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase, inspektorët kanë konstatuar shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe amendamentit 5 të Kushtetutës.

Sipas aktvendimit, Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit Igor Fillkov u tërhiqet vërejtja që t’i mënjanojnë parregullsitë dhe mangësitë e konstatuara, edhe atë gjashtë pikat në vijim:

E para: Rregullorja për mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe për formën dhe përmbajtjen e certifikatës për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe Programi për dhënien e provimit të jurisprudencës në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj të botohen/publikohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj, në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 1) e këtij aktvendimi, është 30 (tridhjetë) ditë nga dita e marrjes së aktvendimit.

E dyta: Kërkesa për dhënien e provimit të jurisprudencës (Shtojca nr. 1) krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik të përgatitet dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj, në përputhje me nenin 2 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 2) e këtij aktvendimi, është 30 (tridhjetë) ditë nga dita e marrjes së aktvendimit.

E treta: Njoftimet e kandidatëve për ditën, kohën dhe vendin e zhvillimit të provimit të jurisprudencës përmes faqes së internetit të Ministrisë së Drejtësisë krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, detyrimisht të publikohen dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj, në përputhje me nenin 6 paragrafi 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 3) e këtij aktvendimi, është 30 (tridhjetë) ditë nga dita e marrjes së aktvendimit dhe në vazhdimësi.

E katërta: Dhënia e pjesës me shkrim dhe me gojë të provimit krahas në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik të mundësohet të jepet dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj, nëse personi, përkatësisht pjesëmarrësi, flet gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me nenin 8 dhe Amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në përputhje me nenin 1, paragrafët 2 dhe 3, nenin 2, paragrafët 1 dhe 3 dhe në lidhje me nenin 6, paragrafin 1 dhe nenin 23, paragrafi 5 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 4) e këtij aktvendimi, është nga dita e marrjes së aktvendimit dhe në vazhdimësi.

E pesta: Procesverbalet që përpilohen për zhvillimin e provimit krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, të jenë dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj, nëse personi, përkatësisht pjesëmarrësi, flet gjuhë që e flasin të paktën 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me nenin 6 paragrafin 2 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 5) e këtij aktvendimi, është nga dita e marrjes së aktvendimit dhe në vazhdimësi.

E gjashta: Ministria e Drejtësisë, si propozuese e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” Nr. 190/2019), të propozojë harmonizimin e të njëjtit me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” Nr. 7/2019), në përputhje me nenin 23 paragrafi 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Afati për ekzekutimin e masës së shqiptuar të mbikëqyrjes inspektuese nga pika 6) e këtij aktvendimi, është 30 (tridhjetë) ditë nga dita e marrjes së aktvendimit. Nëse brenda afatit të përcaktuar nuk harmonizohet Ligji për Provimin e Jurisprudencës me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë Ministria e Drejtësisë është e detyruar t’i zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në përputhje me nenin 23 paragrafin 5 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Pas mbarimit të afateve të dhëna, inspektorët do të shkojnë sërish në Ministrinë e Drejtësisë për kontroll. Nëse, Ministria e Drejtësisë dhe ministri Igor Fillkov nuk i kanë përmirësuar parregullsitë, Inspektorati pritet të hapë procedurë kundërvajtëse në gjykatë, me rekomandim për gjobitje.

Portalb.mk kërkoi sqarime nga Ministria e Drejtësisë nëse e kanë pranuar vendimin dhe vërejtjet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, nëse dhe kur do t’i implementojnë rekomandimet, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Javën e kaluar, Avokati i Popullit pasi hapi lëndë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Me qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht për të mundësuar që provimi i jurisprudencës, si dhe provimi i noterit dhe ai për përmbarues, përveç në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, t’u mundësohet kandidatëve që, me kërkesën e tyre, provimin ta japin edhe në gjuhën që e flasin dhe shkrimin e saj, nëse bëhet fjalë për gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i paraqet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si propozues i autorizuar, Iniciativë për përgatitjen e propozimeve për plotësimin përkatës të dispozitave të: Ligjit për provimin e jurisprudencës, Ligjit për noterinë dhe Ligjit për përmbarimin”, thuhet në dokument.

Avokati i Popullit propozon që në ligjet e shënuara të shtohen dispozita me të cilat përcaktohet se këto provime jepen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, ndërsa për kandidatët që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën e tyre, edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj, dhe njëkohësisht të obligohet Ministria e Drejtësisë, si organ kompetent, që për këtë qëllim të krijojë të gjitha parakushtet e nevojshme (materiale, pyetje provimi dhe komisione profesionale për zbatimin e tyre, në gjuhën në të cilën kandidati e jep provimin).

Nga Zyra e Avokatit të Popullit për Portalb.mk thanë se Qeveria duhet të njoftojë për masat dhe veprimet ne ndërmarra më së voni brenda 30 ditëve.

Nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk e konfirmuan se e kanë pranuar nismën.

“Duke pasur parasysh procedurat dhe kompetencat e ministrisë përkatëse, Iniciativa është dërguar te Ministria e Drejtësisë për shqyrtim, nga ku është kërkuar që për aktivitetet e ndërmarra nga ana e tyre të informohen në kohë të njëjtën kohë Qeveria dhe iniciuesi”, thanë nga Qeveria.

Kujtojmë se studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në vend.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Igor FillkovInspektorati i Ligjit të GjuhëveJurisprudencaKushtetuta e RMVLigji për GjuhëtMinistria e Drejtësisë (MD)Qeveria e Maqedonisë së Veriut