Propozim-ligji problematik për Arsimin e Lartë përsëri në ENER, autorët mbeten sekret

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të mos i tregojnë autorët të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë i cili u shoqërua me shumë kritika, raporton Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës me javë të tëra nuk i përgjigjet pyetjes gazetareske: Kush janë autorët e Propozim-ligjit për Arsimin e Lartë?

Autorët e panjohur të një ligji me pasoja publike

Propozim-ligji për Arsimin e Lartë ka marrë shumë ankesa dhe kritika në qarqet akademike. Për të qenë situata më e rënduar, publiku deri më tani nuk është njoftuar në mënyrë zyrtare për emrat të cilët e kanë shkruar këtë propozim-ligj.

Ndonëse ministrja e arsimit Vesna Janevska thotë se në proces kanë marrë pjesë rreth 60 persona, ligjin në fund e ka shkruar grup më i vogël, të cilin as ministrja dhe as Ministria e Arsimit nuk e zbulon.

Në redaksinë e Portalb.mk arritën disa emra të cilët thuhet se e kanë shkruar këtë ligj, për të cilën e pyetëm ministren:

A është e vërtetë se ligjin e kanë shkruar Llazo Pendovski, Sonja Topuzovska, Marija Manevska, Llazo Jovevski dhe Samil Mallçeski nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ si dhe Borçe Aleksov nga Ministria e Arsimit, emra që janë të afërt me qeverinë?

Por, ministrja Janevska nuk deshi t’i zbulojë, madje ajo u arsyetua se mund të paditet nëse i zbulon emrat.

“Pjesë e emrave të cilët ju i lexuat janë profesorë me renome në UKM janë pjesë e rektoratit në UKM-së, një emër nuk është i saktë. Këto njerëz kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit me të drejta të plota edhe nga UT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit….Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, të gjithë në ueb-faqe…Juve nuk ju intereson ligji, juve u interesojnë njerëzit kush e kanë formuar… Nëse më garantojnë se nuk do më padisin për shkak se i kam zbuluar”, tha Janevska.

Ndonëse ministrja Janevska gjatë debatit publik në Tetovë nuk i tregoi emrat që e shkruan ligjin, pohoi se ka pasur edhe profesorë shqiptarë, megjithatë, tre universitetet shqiptare, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti ‘Nënë Tereza’ përmes dekalratave të tyre për Portalb.mk e demantuan ministren duke thënë se asnjë profesor nga këto institucione arsimore nuk ka marrë pjesë në hartimin e ligjit.

Pse emrat duhet të jenë publik?

Propozim-ligji për Arsimin e lartë është dokument zyrtar që hyn në procedurë parlamentare. Nuk është opinion personal apo draft i brendshëm. Nëse përmbajtja është publike, opinioni ka të drejtë të dijë autorët. Transparenca është standard minimal në hartimin e politikave publike.

Nëse profesorë apo zyrtarë publikë kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit, ata e kanë bërë këtë në cilësinë e tyre profesionale.

Nuk ka bazë logjike që emrat e tyre të mbrohen si të dhëna private. Argumenti i ministres se mund të paditet nëse i zbulon emrat ngre më shumë pikëpyetje sesa jep sqarim. Madje, mund të konsiderohet si tendencë serioze për manipulim duke përdorur proceset juridike si formë të frikësimit.

Ministrja nuk ka sqaruar në çfarë baze ligjore do të mund të paditej për publikimin e emrave të ekspertëve të angazhuar në një proces publik. A kanë nënshkruar ata marrëveshje konfidencialiteti dhe nëse po, pse një proces për ligj publik do të ishte konfidencial.

Emrat që përmenden janë profesorë nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ apo zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dhe konsiderohen të afërt me qeverinë, publiku ka të drejtë të dijë nëse ka pasur balancë akademike apo pluralizëm mendimesh në hartim.

Ministrja thotë se disa prej tyre janë profesorë me renome dhe pjesë e rektoratit. Nga njëra anë mbrohen si profesionistë me reputacion, nga ana tjetër trajtohen si informacion sekret.

Lidhur me mostransparencën e emrave të cilët e kanë shkruar ligjin kanë kritikuar edhe nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Derisa autorët mbeten sekret, propozim-ligji të hënën do të ripublikohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER) me të gjitha komentet që u pranuan gjatë debateve publike ose u dorëzuan elektronikisht dhe pas disa ditësh do të kalojë në procedurë qeveritare.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.

Ky propozim-ligj është shoqëruar me vërejtje të mëdha nga akademia dhe sektori civil.

Ligji për Arsim të LartëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Vesna Janevska