Kryeministri, Hristijan Mickoski, deklaroi se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut është e qartë dhe precize në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare, duke theksuar se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit dhe në përdorim ndërkombëtar, ndërsa gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në institucionet shtetërore në përputhje me përqindjen mbi 20 për qind të bashkësisë që e flet atë, transmeton Portalb.mk.
Sipas Mickoskit, Amendamenti V, i cili zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës, parashikon mundësinë që komunikimi në institucionet shtetërore të zhvillohet edhe në gjuhën e bashkësive që përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë, por vetëm pasi kjo të rregullohet qartë me ligj. Ai theksoi se ligji aktual nuk e lejon organizimin e provimeve apo procedurave të tilla në gjuhë të tjera dhe se çdo ndryshim duhet të kalojë përmes një procesi ligjor.
“Kushtetuta është e qartë dhe precize. Kushtetuta thotë se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase, por gjithashtu, me përshkrimin më poshtë, ashtu thotë neni, gjuhë zyrtare në këtë rast është edhe shqipja, respektivisht bashkësia që është më tepër se 20%. Në këtë rast është gjuha shqipe. Dhe në një pjesë të amendamentit 5 që e zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës shumë qartë qëndron, thotë komunikimi në institucionet shtetërore mund të zhvillohet edhe në gjuhën. Në këtë rast të bashkësisë që është më tepër se 20%, pasi që kjo të rregullohet me ligj, dmth ne duhet që këtë proces të provimit fillimisht ta përcaktojmë me ligj”, tha Mickoski.
Megjithatë, ai shprehu skepticizëm se një zgjidhje e tillë do të ishte e pranueshme, duke kujtuar se Komisioni i Venecias ka dhënë mendim negativ për pjesë të Ligjit për Gjuhët, veçanërisht në segmentin që lidhet me gjyqësorin. Sipas tij, kjo tregon se edhe nëse ekziston vullnet politik, ka pengesa serioze kushtetuese dhe juridike që e bëjnë këtë proces të vështirë për t’u realizuar në praktikë.
“Ligji kështu siç është, nuk lejon provim të tillë, unë jam i gatshëm që këtë ta rregullojmë me ligj, dhe jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për gjuhët e të gjithë popujve që janë përmendur në preambulë. Nëse duam që kjo të ndodhë, duhet të bëhet ligj. Unë jam i gatshëm që të bëhet ligj, të dorëzohet në Komisionin e Venecias, nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën ose jo. Fakt është se kur është bërë Ligji për Gjuhët, Komisioni i Venecias, për pjesën e gjyqësorit dha mendim negativ”, deklaroi Mikcoski.
Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Fillkov insiston se nuk mund të ketë provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe ashtu siç kërkojnë studentët, kryeministri dhe kryeministri.
Fillkov duke iu kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit Bekim Sali thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, por zbatimi i tij nuk mund të shqyrtohet i izoluar nga ligjet e tjera sistemore që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit.
BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip ndërkaq kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip. Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast.
Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.