Ish ministri: Qeverisë ia lamë gati ligjin që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, por e hoqën nga agjenda

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale, në ndërkohë studentët shqiptarë përmes peticionit riaktualizuan nevojën për ndryshimet ligjore, shkruan Portalb.mk.

Ish-ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në fund të mandatit të tij tentoi të ndërmerr hapa më konkrete por s’pati kohë t’i procesojë ndryshimet që dhënia e provimit të jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës është dorëzuar në Kuvendin e RMV-së në janar 2024, por nuk arriti të sheh zbatim në praktikë.

Lidhur me këtë çështje, Portalb.mk bisedoi më gjerësisht me ish-ministrin Krenar Lloga se pse kjo procedurë nuk arriti të përfundojë gjatë përbërjes së kaluar.

Ai tha se ky veprim është paraprirë duke u krijuar nga ana e tij si Ministër i Drejtësisë edhe Komisionin i ri për dhënien e provimit të Jurisprudencës, ku çdo provim, njëri nga dy profesorët ishte shqiptar, sipas tij, parakusht ky për zbatimin e ndryshimeve ligjore, përkatësisht që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe.

“Ne sa e kryem këtë procedurë, në janar menjëherë e dorëzuam propozim-ligjin dhe mandej duhej të shqyrtohej në komisionet amë, por filloi qeveria teknike edhe zgjedhjet edhe nuk e patëm mundësinë që të njëjtën edhe ta vemë të votohet. Tash qeveria e re, edhe kryetari parlamentit e hoqën nga kalendari i 2024, d.m.th. fajtorë, bashkëfajtorë është kryetari i kuvendit së bashku me qeverinë veçanërisht me ministrin e Drejtësisë sepse e tërhoqën ligjin dhe nuk e dorëzuan prapë për 2024 edhe pse ishte e paraparë në kalendarin e punës për 2024”, tha Lloga për Portalb.mk.

Ai thotë se si ish-minisër dhe qeveri, i kryen obligimet e tyre në atë kohë, por me ardhjen e qeverisë së re, ky proces u ndërpre.

Te propozim ligji, propozohet që provimi jepet edhe në gjuhën shqipe.

“Në Ligjin për provimin e jurisprudencës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 190/19), pas nenit 4 shtohet nen i ri 4-a, i cili thotë: Neni 4-a Provimi do të jepet në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e tij cirilik, ndërsa nëse kandidati flet gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, provimin mund ta jep në gjuhën të cilën e flet dhe në alfabetin e saj, thuhet në ndryshimet e propozuara.

Portalb.mk i siguroi propozim-ndryshimet ligjore.

Lloga tha se në paketë me Ligjin për provimin e jurisprudencës ka qenë edhe provimi për notarë edhe përmbarues.

“Fatkeqësia është se duke qenë në agjendë, dke e pasur ligjin në tryezë, duke qenë edhe në kalendarin e 2024 të Parlamentit këto e hoqën”, tha Lloga.

Ai tha se ky ligj që të miratohet “me procedurë të shpejtë mund të shkojë më pak se dy javë”.

Nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në vitin 2024 na e konfirmuan nismën e ish-ministrit Krenar Lloga, por thanë se me ikjen e qeverisë paraprake, ikin edhe ligjet e propozuara nga ajo qeveri ndërsa komisioni përkatës asokohe s’kishte arritur t’i kalojë ndërsa qeveria aktuale nuk ka propozuar diçka të tillë.

“Në përbërjen paraprake këto ndryshime kanë qenë në lexim të rregullt, janë vendosur në rend të dite në lexim të parë mirëpo nuk kanë kaluar në komisionet përkatëse kuvendore ndërsa me të mbarura mandati i tyre, mbaron edhe puna për ligjet që kanë qenë atëherë nëse qeveria e re nuk propozon që ato ndryshime të vazhdohen”, deklaruan aso kohe nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Momentalisht nuk ka nismë dhe vullnet për t’u inicuar këto ndryshime.

Nga ana tjetër, 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Megjithatë, deri tani institucionet nuk janë prononcuar për këtë çështje.

Screenshot nga peticioni.

Portalb-i analizoi kontektstin pozitiv ligjor në lidhje me mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Gjuha shqipeJurisprodencaKomision(e) KuvendoreKrenar LlogaLigji për GjuhëtMinistria e Drejtësisë (MD)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut