RMV, Qeveria nuk i ka azhurnuar të dhënat për shpenzimet e zyrtarëve

Qeveria ende nuk ka publikuar një zgjidhje me të cilën institucionet në mënyrë transparente, të rregullt dhe të pavarur do t’i evidentojnë të dhënat digjitale për shpenzimet zyrtare të ministrave, zëvendësve të tyre dhe sekretarëve shtetërorë. Edhe pse në prill të këtij viti nga Qeveria për Meta.mk deklaruan se Mjeti i llogaridhënies për shpenzimet e zyrtarëve ka një ngecje për shkak të ndryshimeve të caktuara në sistem, as gjysmë viti më vonë publiku ende nuk ka njohuri se si zyrtarët i shpenzojnë paratë nga buxheti, raporton Meta.mk, përcjell Portalb.mk.

Mjeti i llogaridhënies u promovua në vitin 2018, ndërsa “jetëgjatësia” e tij ishte vetëm tre vjet, kur filloi të mos azhurnohet më. Përmes këtij mjeti mund të shihej se cili ministër, zëvendës i tij apo sekretar i shtetit ka shpenzuar për bileta avioni, mëditje, transport me taksi, hotele, restorante… E gjithë kjo u bë për ta përmirësuar transparencën e Qeverisë, një vit pas ardhjes në pushtet të koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja.

Megjithatë, për një kohë shumë të shkurtër kjo faqe interneti filloi të mos azhurnohet (në vitin 2020 nuk kishte aspak të dhëna të reja), pra nuk azhurnohej me dinamikën e pritur, në çdo gjashtë muaj. Pastaj me sa duket ra në harresë.

Tani, në faqen ku mund të shihen të gjitha shpenzimet e zyrtarëve figurojnë persona që tashmë për një kohë të gjatë nuk janë në ato pozita. Zoran Zaev, Nikolla Dimitrov, Koço Angjushev, Milla Carovska, Radmilla Shekerinska, Dragan Tevdovski, Venko Filipçe janë vetëm disa nga ministrat nga përbërja e mëparshme e Qeverisë për të cilët ka të dhëna se si e kanë shpenzuar buxhetin. Në mjetin e llogaridhënies nuk mund të gjendet as kryeministri Dimitar Kovaçevski, sepse ai në këtë post erdhi në janar të vitit 2022, ndërsa të dhënat nuk janë azhurnuar që nga viti 2021.

Nga Qeveria nuk u përgjigjën në pyetjen e Meta.mk të dërguar më 30 tetor të këtij viti, për atë nëse planifikohet rivënia e këtij mjeti në funksion, me qëllim që në mënyrë transparente të ndahet me publikun se si shpenzohen paratë të cilat janë në dispozicion të ministrive.

Në prill të këtij viti nga Qeveria për Meta.mk dhënë këtë përgjigje:

“Për shkak të ndryshimeve në sistem, një periudhë të caktuar kishte një vonesë në azhurnimin e Mjetit të llogaridhënies për shpenzimet e zyrtarëve të qeverisë. Pavarësisht kësaj, të dhënat mblidhen dhe përpunohen rregullisht. Gjithashtu, për ciklin e 11-të, i cili mbulon periudhën nga dhjetori i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2022 po vijon mbledhja e të dhënave. Gjithashtu, ju njoftojmë se jemi duke punuar për një zgjidhje me të cilën institucionet do të evidentojnë rregullisht dhe në mënyrë të pavarur të dhënat, në mënyrë që publiku të ketë një pasqyrë në kohë dhe të vazhdueshme për shpenzimet zyrtare të bëra nga ministrat, zëvendësministrat dhe sekretarët shtetërorë”.

Që atëherë ka kaluar më shumë se gjysmë viti, ndërsa mjeti i llogaridhënies është bërë një mjet për të na rikujtuar se dikur është bërë një përpjekje për të pasur një transparencë më të madhe. Krahas kësaj Meta.mk kontrolloi edhe një numër të madh të ueb-faqeve të ministrive dhe për momentin në asnjërën prej tyre nuk ka asnjë rubrikë ku do të paraqiten shpenzimet e njerëzve të parë në institucion.

Për shkak të të gjithë kësaj që u tha më sipër, deklaratën e Qeverisë se faqja e internetit ku duhet të prezantohen shpenzimet e zyrtarëve do të përditësohet e konsiderojmë si të pavërtetë.

Burime: 

Meta.mk (22.04.2023): Mjeti për paratë e shpenzuara nga zyrtarët shtetërorë nuk është azhurnuar që nga viti 2021; Verifikuar më 30.10.2023;

Meta.mk (21.03.2018): Popovski prezantoi mjetin për llogaridhënie: Kemi shpenzuar dy herë më pak se ata para nesh ; Verifikuar më 30.10.2023.

 

Dimitar KovaçevskiHarxhime - ShpenzimeKeqpërdorim i pozitës zyrtareMeta.mkPortalb – MetaQeveria e Maqedonisë së VeriutTransparencë institucionale