Në Maqedoni ndërtohet sipas standardeve paralele, atyre të vjetra të viteve ’80 dhe ’90 dhe eurokodeve, por për ndërtime më të sigurta dhe më të mbrojtura, eurokodet duhet të futen urgjentisht si standard i vetëm. Biznesi dhe komuniteti profesional sot u ulën në një tryezë të përbashkët me institucionet, me qëllim përshpejtimin e procesit të futjes së tyre, i cili ka ngecur prej 10 vitesh. Përveç ndërtimeve më të sigurta dhe më të mbrojtura, zbatimi i tyre do të nënkuptonte edhe rikonstruksionin e ndërtesave të vjetra të ndërtuara para tërmetit, të cilat, sipas ekspertëve, nuk janë të shumta. Sipas tyre, kjo nuk do të thotë automatikisht edhe rritje të çmimit të banesave, raporton TV21.
“Ekziston një mendim në publikun e gjerë se me futjen e eurokodeve vendosen standarde më të larta, të cilat mund ta shtrenjtojnë ndërtimin dhe ta rrisin çmimin e ndërtimit, megjithatë, po ju them përsëri, jo domosdoshmërish. Qëllimi ynë gjithmonë duhet të jetë cilësia dhe siguria. Të gjitha objektet që nuk do t’i plotësojnë këto standarde do të duhej të rikonstruktoheshin, megjithatë mendojmë se nuk do të ketë një numër të madh të objekteve të tilla. Bëhet fjalë për ato më të vjetrat, ndoshta ato para tërmetit të Shkupit, ku mund të ketë nevojë për rikonstruksime të tilla. Për të gjitha të tjerat mendojmë se nuk do të ketë nevojë”, tha Josif Josifovski, dekan i Fakultetit të Ndërtimit.
Procesi sjell edhe vështirësi, por komuniteti profesional konsideron se futja e këtyre eurokodeve është e domosdoshme, me qëllim që të ndiqet hapi me proceset që zhvillohen në Evropë.
Komuniteti profesional është i prerë se me eurokodet rritet siguria në të gjitha fazat, nga projektimi deri te ndërtimi. Ata thonë se kjo do të nënkuptonte ndërtime absolutisht më të sigurta dhe më të mbrojtura për qytetarët, cilësi më të mirë dhe do të reduktonte të gjitha ato probleme që ata i konstatojnë çdo ditë.