Me para dhe pa njohuri e kaloi provimin, kallëzime penale ndaj kryetarit të Shoqatës së Stomatologëve dhe kryetarit të Komisionit të Provimeve

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave për “dhënie të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, “marrje të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” dhe “marrje ryshfeti”, transmeton Portalb.mk.

Siç informoi MPB, më 27.07.2026, Njësiti për Krim Financiar pranë Sektorit të Hetimeve Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, drejtuar PThP për NKOK, ngriti kallëzim penal kundër tre personave. A.T. (27) nga Manastiri, mbi dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “dhënie të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 358-a paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, S.Ç. (56) nga Gostivari për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 dhe S.E. (63) nga Shkupi për veprën penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Nga ana e nëpunësve policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë janë kryer kontrolle tek i kallëzuari i dytë dhe i tretë, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar mjete financiare në vlerë prej 65.280 euro, 29.840 franga dhe 161.500 denarë.

E kallëzuara A.T., si studente e Fakultetit të Stomatologjisë, me qëllim që të fitonte Certifikatë për dhënie të provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, gjatë muajit dhjetor 2025, pas komunikimeve të shumta përmes platformës Viber, i ka dhënë të kallëzuarit S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve, shpërblim në formën e mjeteve financiare, të cilat ia ka transferuar në llogarinë e tij bankare.

Mjetet financiare i janë dhënë S.Ç. me qëllim që të ushtronte ndikim te i kallëzuari S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për dhënie të Provimit Profesional të Punonjësve Shëndetësorë me Arsim të Lartë në Fushën e Stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, me ç’rast e kallëzuara A.T. në sesionin e provimeve të dhjetorit ka dhënë provimin më 17.12.2025 para komisionit të formuar dhe pa i zotëruar njohuritë e nevojshme është pajisur me Certifikatë për dhënie të provimit profesional.

Rasti doli në pah në fund të prillit, kur Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zhvilloi një aksion të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar për kontrabandë, shpërndarje dhe përdorim të botoksit dhe fillerëve të falsifikuar. Më 25 prill, Gjykata Penale në Shkup caktoi 30 ditë paraburgim për gjashtë të dyshuar, arrest shtëpiak për katër të tjerë dhe masa kujdesi për nëntë persona. Hetimi përfshin gjithsej 19 persona fizikë dhe gjashtë persona juridikë, ndërsa nga analiza e telefonave celularë të sekuestruar në këtë procedurë, Prokuroria hapi tani një hetim të ri ndaj dy personave, të dyshuar për marrje ryshfeti dhe ndikim të kundërligjshëm.prokuro

Keqpërdorim i pozitës zyrtareKorrupsion - RyshfetMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Stomatolog/e