Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) sot ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari i parë ka kryer veprën penale “Pranim i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa i dyshuari i dytë ngarkohet me veprën penale “Pranim ryshfeti”, transmeton Portalb.mk.
Procedura hetimore është hapur mbi bazën e provave të siguruara nga analiza e të dhënave të nxjerra nga telefonat mobil të sekuestruar në kuadër të një hetimi tjetër që PTHP NKOK po zhvillon kundër një grupi të organizuar kriminal të përfshirë në importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Sipas provave të mbledhura deri më tani, në dhjetor 2025, një e dyshuar e përfshirë në hetimin për importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore i ka dhënë shpërblim në para të dyshuarit të parë – doktor i stomatologjisë dhe kryetar i Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë – që ai, duke shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe të supozuar, pozitën zyrtare dhe shoqërore, si dhe autoritetin e tij, të ndërhynte për të mundësuar kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhej të kryhej.
I dyshuari i parë ka ndërhyrë te i dyshuari i dytë – kryetar i Komisionit të Provimit Profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë – duke kërkuar prej tij që të shfrytëzonte pozitën e tij zyrtare për t’i mundësuar të dyshuarës ta kalonte provimin profesional.
Pas dhënies së provimit, i dyshuari i parë ia ka dërguar të dhënat e llogarisë së tij bankare, ndërsa e dyshuara ka kryer pagesën e shumës së parave si shpërblim për ndërmjetësimin. Sipas provave të siguruara deri tani, i dyshuari i parë një pjesë të shpërblimit të premtuar ia ka dorëzuar të dyshuarit të dytë.
Gjatë ditës, të dy të dyshuarit do të nxirren para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Prokurori publik kompetent do të propozojë caktimin e masave për sigurimin e pranisë së tyre gjatë zhvillimit të procedurës penale.
Rasti doli në pah në fund të prillit, kur Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zhvilloi një aksion të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar për kontrabandë, shpërndarje dhe përdorim të botoksit dhe fillerëve të falsifikuar. Më 25 prill, Gjykata Penale në Shkup caktoi 30 ditë paraburgim për gjashtë të dyshuar, arrest shtëpiak për katër të tjerë dhe masa kujdesi për nëntë persona. Hetimi përfshin gjithsej 19 persona fizikë dhe gjashtë persona juridikë, ndërsa nga analiza e telefonave celularë të sekuestruar në këtë procedurë, Prokuroria hapi tani një hetim të ri ndaj dy personave, të dyshuar për marrje ryshfeti dhe ndikim të kundërligjshëm.prokuro