Si pjesë e aktiviteteve për luftimin e ekonomisë së zezë, Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) ka filluar një aksion kundër bizneseve që veprojnë jashtë sistemit fiskal. Sipas regjistrave zyrtarë, 6.451 tatimpagues aktiv, me punonjës, nuk kanë sistem fiskal të regjistruar, transmeton Portalb.mk.
Këto biznese kryesisht veprojnë në tregti me shumicë dhe pakicë, përgatitje dhe shërbim ushqimesh, shërbime ligjore dhe kontabiliteti, si dhe agjenci turistike dhe operatorë turistikë.
Nga këto, 3.115 janë regjistruar edhe për qëllime TVSH-je, që tregon aktivitet të rregullt biznesi.
DAP njofton se faza e parë e kontrolleve do të fokusohet tek këto subjekte aktive, për t’i detyruar të përmbushin menjëherë detyrimet ligjore për regjistrimin e pagesave me para në dorë.
Përveç tyre, janë identifikuar edhe 13.966 tatimpagues të tjerë në këto fusha pa aparate fiskale, të cilët do të kontrollohen në terren, do të kryhet krahasim i të dhënave dhe mekanizma të tjerë kontrolli për të përcaktuar nëse kryejnë aktivitet pa e deklaruar xhiron dhe pa paguar tatime.
“Nëse konstatohet se subjekti kryen aktivitet, por nuk deklaron xhiron dhe nuk paguan tatime, përveç gjobave administrative, do të ngrihen edhe procedura penale sipas ligjit”, thekson DAP.
Sipas Ligjit për regjistrimin e pagesave me para në dorë, çdo tatimpagues që kryen shitje të mallrave ose shërbimeve me pagesë në dorë është i detyruar të përdorë sistem fiskal të miratuar dhe të lëshojë faturë fiskale për çdo transaksion. Tatimpaguesit duhet të regjistrojnë aparatin fiskal në DAP para fillimit të aktivitetit dhe të lëshojnë faturë për çdo shitje me para në dorë.
“Ftojmë të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me para në dorë dhe nuk kanë sistem fiskal të regjistruar, të ndërmarrin masa urgjente për përputhshmëri vullnetare: të blejnë, instalojnë dhe regjistrojnë aparate fiskale përmes operatorëve të autorizuar, sipas procedurës së UJP. Do të monitorojmë përputhshmërinë dhe do të ndërmarrim masa për përmbushje të plotë dhe të detyrueshme të ligjit. Lufta kundër ekonomisë së zezë mbetet prioritet, ndërsa kontrollet fiskale synojnë rritjen e besimit në administratën tatimore, krijimin e rendit në ekonomi dhe mbrojtjen e biznesit ligjor”, thekson DAP.
DAP paralajmëroi se mosrespektimi i këtyre rregullave konsiderohet shkelje, me gjoba dhe mbyllje të objekteve tregtare sipas ligjit.