Marta Kos në Shkup për reformat: Kurrë asnjë vendi kandidat nuk i është dhënë garanci se nuk do të lindë mosmarrëveshje

Rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, përpjekjet për reforma me fokus në zbatimin e agjendës së reformave brenda Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Këto janë arsyet pse komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, do të mbërrijë sot në Shkup për takime. Ajo është planifikuar të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilin do të ketë takim kokë më kokë, dhe më pas takim dypalësh me zyrtarë qeveritarë. Kos dhe Mickoski janë planifikuar gjithashtu të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në Qeveri, transmeton Portalb.mk.

Kos do të takohet gjithashtu me zëvendëskryeministrin dhe ,inistrin për Çështjet Evropiane, Bekim Sali, dhe me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi.

Përpara vizitës, Kos tha se Maqedonia e Veriut ka treguar se mund të japë rezultate kur ka vullnet politik.

“E shohim qartë këtë në performancën e saj të fortë në agjendën e reformave. Do të vij në Shkup për të inkurajuar qeverinë të bëjë të njëjtën gjë në negociatat e pranimit. Tani kemi një mundësi që vjen vetëm një herë në një brez për ta bërë zgjerimin të ndodhë. Kjo vjen me zgjedhje të qarta. Ata që i përmbushin detyrimet e tyre përparojnë. E shohim këtë më qartë në Mal të Zi dhe në Shqipëri. Ata që nuk i përmbushin detyrimet e tyre mbeten prapa. Në momente përshpejtimi, stanjacioni do të thotë regres de facto”, thotë Kos.

Sipas saj, përparimi në negociatat e pranimit kërkon një element kyç – besimin midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare.

“Në përvojën time, një besim i tillë ndërtohet kryesisht mbi dy elementë – përmbushjen e detyrimeve dhe qëndrimin e vendeve kandidate ndaj BE-së dhe shteteve të saj anëtare. Kjo fillon me marrëdhënie të mira fqinjësore. Kur besimi i ndërsjellë rritet, procesi i pranimit bëhet më i sigurt. Jam e bindur se ky do të ishte rasti edhe për Maqedoninë e Veriut”, beson ajo.

Kos thotë se nuk ka pasur kurrë një rast që një vendi kandidat t’i jepen garanci se nuk do të lindë asnjë mosmarrëveshje tjetër gjatë procesit të pranimit derisa i fundit nga 27 shtetet anëtare të ratifikojë traktatin e pranimit.

“E vërteta është se asnjë vend kandidat nuk ka marrë kurrë një garanci se nuk do të lindë asnjë mosmarrëveshje tjetër gjatë procesit të pranimit derisa shteti i fundit anëtar të ratifikojë traktatin e pranimit. Kështu funksionon zgjerimi i BE-së. Është e rëndësishme të pranohet ky realitet”, theksoi Kos.

Duke komentuar mbi dokumentin jo-ligjor gjermano-francez, i cili promovon integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE para anëtarësimit të plotë, ajo thotë se procesi i pranimit kërkon kohë, por se në botën e sotme Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë të presë shumë gjatë. Dhe, thotë ajo, është e kënaqur të shohë se si udhëheqësit evropianë po e udhëheqin këtë debat, me qëllim gjetjen e mënyrave për ta afruar BE-në me qytetarët e saj të ardhshëm shumë më shpejt.

“Pas verës, Komisioni synon t’u propozojë shteteve anëtare mënyra të reja për t’i afruar vendet kandidate me BE-në para pranimit. Por ka një pikë të rëndësishme. Kjo do të kërkojë përparim në negociatat e pranimit. Kjo mbetet një përparësi. Pa një përparim të tillë, integrimi i mëtejshëm gradual do të jetë i kufizuar”, tha ajo.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Agjenda ReformueseBashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEMarta KosNdryshime Kushtetuese RMVPlani i BE-së për rritje (zhvillim) Ballkani Perëndimor