Dezinformatat antigjinore e minojnë demokracinë dhe pjesëmarrjen e grave në jetën publike

Narrativat antigjinore dhe dezinformatat me bazë gjinore gjithnjë e më shumë po përdoren si mjet për polarizimin e shoqërisë, minimin e proceseve demokratike dhe dekurajimin e grave nga pjesëmarrja në politikë, media dhe jetën publike, u tha në eventin e djeshëm, i cili konsistonte nga një dialog dhe një punëtori me temë “Përforcimi i rezistencës ndaj manipulimeve me bazë gjinore të informacioneve”, të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” dhe International IDEA. Në event morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Suedisë, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), HERA, ndërsa të pranishëm ishin edhe një numër i madh i gazetarëve dhe përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Transformimit Digjital, transmeton Portalb.mk.

Pjesëmarrësit paralajmëruan se fushatat e tilla të koordinuara, të cilat intensifikohen sidomos gjatë periudhave zgjedhore, përhapin mosbesim ndaj institucioneve dhe vlerave demokratike, ndërsa analizat tregojnë se gratë janë ende dukshëm më pak të përfaqësuara si bartëse të mesazheve politike në media. U theksua edhe se zhvillimi i inteligjencës artificiale (IA) e lehtëson edhe më shumë krijimin dhe përhapjen e dezinformatave, prandaj institucionet, mediat dhe sektori i shoqërisë civile së bashku duhet të ndërtojnë mekanizma për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe barazinë gjinore.

Dahlberg Frisk: Jemi të shqetësuar nga ajo që po e shohim në RMV

Elizabet Dahlberg Frisk, zëvendës-ambasadorja e Suedisë në vend, tha se barazia gjinore është një themel shumë i rëndësishëm i politikave tona, sepse shoqëritë e barabarta, siç tha ajo, do të sjellin siguri më të madhe dhe do ta përforcojnë demokracinë.

“Jemi të shqetësuar nga ajo që po e shohim në RMV, sepse ka një rritje të lëvizjeve antigjinore dhe narrativave antigjinore. Këto janë përpjekje që kanë për qëllim ta minojnë përparimin e barazisë gjinore dhe të kontribuojnë në polarizimin dhe ndarjen e popullatës dhe ta dobësojnë demokracinë. Këto lëvizje dhe narrativa në vitet e fundit po përforcohen. Me dezinformata krijohet mosbesim. Mediat e drejtuara nga shteti rus e targetuan edhe Suedinë me dezinformata antigjinore për t’i minuar vlerat demokratike. Kjo ka pasoja ndaj jetës së grave dhe mund të ndikojë në debatin publik. Në çfarë mënyre reaguam ne? Në Suedi kemi një Agjenci të re suedeze për mbrojtjen e integritetit psikologjik kundër dezinformatave dhe përforcimin e qasjes gjithëpërfshirëse të shoqërisë, e cila ka për qëllim përballjen me narrativat e dëmshme“, tha Dahlberg Frisk.

Goran Rizaov nga Fondacioni Metamorfozis, zëvendës ambasadorja e Suedisë, Elisabeth Dahlberg Frisk, dhe drejtuesja e Programit të Ballkanit Perëndimor në International Idea, Blerta Hoxha | Foto: Meta.mk

Blerta Hoxha, menaxhere e programit për Ballkanin Perëndimor në International IDEA, theksoi se fushatat marrin një hov të madh dhe se është shumë e vështirë që të monitorohen.

“Këto fushata janë hartuar për t’i eksploatuar përçarjet e brendshme. Tani, përveç atyre të jashtme, kemi edhe manipulime të brendshme të informacioneve, ndërsa mënyra më efikase për t’i minuar vlerat demokratike është pikërisht përmes narrativave gjinore. Ekzistojnë ndikime dhe narrativa të dëmshme që kanë për qëllim ta polarizojnë shoqërinë dhe t’i largojnë qytetarët nga vlerat demokratike. Kjo është kundër shoqërisë civile dhe lirisë në përgjithësi”, tha Hoxha, e cila shpjegoi se International IDEA është një organizatë globale që i ndjek trendet, por qëllimi është i njëjtë kudo, që narrativat e dëmshme t’i sulmojnë faktorët demokratikë dhe t’i diskreditojnë institucionet, sidomos gjatë zgjedhjeve.

Sipas Hoxhës dezinformatat gjinore nuk janë një fenomen i izoluar në këtë proces.

“Kur bëhet fjalë për integrimin në BE narrativat e dëmshme e targetojnë procesin e pranimit. Ne në IDEA punojmë edhe në bashkëpunim me autoritetet zgjedhore për t’u afruar me rregullat e BE-së. Ka raporte të BE-së që kanë vërejtje se RMV po mbetet prapa në procesin e harmonizimit me ligjislacionin e BE-së”, theksoi Hoxha.

Alisa Schaible, bashkëpunëtore e programit në International IDEA, tha se dezinformatat dhe FIMI kanë për qëllim ta minojë pjesëmarrjen demokratike dhe të inkurajojë një agjendë që e përdor gjininë për realizimin e qëllimeve konkrete politike. Ajo prezantoi një analizë të gjendjes në Shqipëri, e cila tregoi se në këtë vend fushatat janë më shpesh vendase, por përdorin origjinë globale të narrativave për të fituar shtrirje dhe legjitimitet më të madh.

“Sa i përket propozim-ligjeve për shëndetin reproduktiv, gjegjësisht ligjit të vitit 2025, në fushatën më të fortë online në Shqipëri ka pasur 18.795 postime, me ç’rast 42 përqind e postimeve përmbanin dezinformata eksplicite. Sa i përket zgjedhjeve të atjeshme lokale të vitit 2023 dhe zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, identiteti është përdorur si mjet në fushata, pra për “mbrojtjen e besimit, familjes dhe kombit” kundër agjendave të huaja”, tha Schaible.

Rizaov: Dezinformatat gjinore po i largojnë gratë, gazetaret dhe aktivistet nga hapësira publike

Goran Rizaov, udhëheqësi i programit të Integritetit mediatik dhe informativ në “Metamorfozis”, theksoi se përmes narrativave të dëmshme që lidhen me barazinë gjinore, të drejtat e grave, gratë në politikë, gazetaret dhe aktivistët ose aktivistet bëhen objektiva të lehta.

“Tashmë ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha në shoqëri për këto tema. Përmes tyre shumë lehtë mobilizohet zemërimi, krijohet panik, shkaktohet frikë dhe reagim irracional. Ato paraqiten si një “rrezik” për familjen tradicionale, për vlerat tradicionale, për shtetin, për fëmijët, për çdo gjë, për çfarë do që nevojitet në momentin e caktuar. Dhe pasojat e kësaj janë shumë serioze. Nuk bëhet fjalë vetëm për qindra komente me kërcënime për dhunë që do të shfaqen në rrjetet sociale, por për faktin se për shkak të narrativave të tilla njerëzit tërhiqen nga hapësira publike”, tha Rizaov.

Ai shtoi se për shkak të kësaj gratë mendohen nëse ia vlen të futen në politikë.

“Gazetaret e pyesin veten nëse ia vlen të publikojnë edhe një storie investigative duke e ditur se ajo do të shkaktojë në një valë të re fyerjesh dhe sulmesh. Aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile bëhen shënjestra në vend të bashkëbiseduesve në procesin e vendimmarrjes. Që tani e tutje nuk po flasim më vetëm për barazi gjinore, por po flasim për pjesëmarrje demokratike. Duhet të jetë e qartë se narrativa të tilla janë të barasvlefshme me censurë, kjo nuk është liri e fjalës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kontekst zgjedhor sepse zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me ditën e votimit dhe fletën e votimit. Zgjedhjet janë edhe atmosfera para tyre: ajo çfarë njerëzit e shohin, kujt i besojnë, nga se kanë frikë dhe nëse mendojnë se pjesëmarrja e tyre në procesin zgjedhor ka ndonjë vlerë apo logjikë”, shpjegoi Rizaov.

ASHMAA: Gratë janë në margjinat e fushatave politike, burrat e dominojnë hapësirën mediatike

Marina Trajkova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale prezantoi një analizë të lajmeve dhe reklamave në televizionet kombëtare dhe televizionin publik gjatë proceseve parazgjedhore në vitet 2020 dhe 2025.

Marina Trajkova nga AShMAA dhe Sanela Shkrielj nga HERA | Foto: Meta.mk

Në fushatën parazgjedhore të vitit 2020 për zgjedhjet parlamentare, gratë kanë folur në 14,5 përqind të kohës, ndërsa burrat në 85,5 përqind të kohës. Në videot e reklamave politike me pagesë (RPP) gratë kanë folur në 22,9 përqind të kohës, ndërsa burrat në 77,1 përqind të kohës. Në regjistrimet nga tubimet gratë kanë folur në 14,4 përqind të kohës, ndërsa burrat në 85,6 përqind të kohës. I analizuam edhe lajmet në TVM1 dhe TVM2. Në kronika gratë kanë folur 40,9 përqind të kohës, ndërsa burrat 59,1 përqind. Në vitin 2020 nga mbi 1,700 kronika të analizuara që janë transmetuar në të gjitha kanalet televizive, çështjet gjinore janë trajtuar në tre kronika.

“Në fushatën zgjedhore të vitit 2020 gratë nuk kanë folur aspak për sigurinë, median dhe propagandën, ndërsa temat për të cilat kanë folur më shumë kanë qenë arsimi, ekonomia, shëndetësia. Në fushatën zgjedhore të vitit 2025 gratë më pak kanë folur për sigurinë dhe sundimin e së drejtës, ndërsa duke pasur parasysh se zgjedhjet ishin lokale, më shumë për shërbimet komunale, mjedisin jetësor si dhe shëndetësinë, inkluzionin. Tema më e përfaqësuar gjinore është fuqizimi ekonomik i grave, por çështjet gjinore janë gjithmonë në margjina të fushatave politike. Gratë dhe burrat nuk janë të përfshirë në mënyrë të barabartë si bartës të mesazheve politike. Burrat dominojnë si subjekte primare dhe ata flasin. Në regjistrimet e ngjarjeve partiake subjektet primare janë burrat, ndërsa gratë janë dekor në rolin e mbështetëseve. Gratë kanë qenë më të pranishme në pjesën vizuale sesa në atë të të folurit. Në përgjithësi, burrat kanë folur shumë më shumë se gratë për të gjitha temat”, tha Trajkova në prezantimin e saj.

Sanella Shkrielj, udhëheqëse e programit për politika publike dhe përfaqësim në HERA – Asociacioni për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor, tha se po përballemi me sulme që kanë për qëllim ta përmbysin barazinë gjinore dhe pozicionet e grave në shoqëri.

“Ne duhet ta shohim barazinë gjinore nga aspekti i dezinformatave, por edhe si një çështje të sigurisë. Në atë që ne e quajmë FIMI dhe ndërhyrje, sidomos në proceset zgjedhore, gjinia përdoret shumë si një pikë hyrëse për këto ndikime. Vitin e kaluar u prezantua një raport i cili tregonte se nga viti 2019 dhe 2023 në lëvizjet antigjinore janë investuar 1,8 miliardë dollarë, të cilat kanë për qëllim të përhapin narrativa antigjinore. Ato janë lëvizje sistemike të organizuara mirë që i sulmojnë institucionet dhe ngjallin mosbesim dhe kaos dhe e polarizojnë shoqërinë”, tha Shkrielj.

Në këtë kuptim, shtoi ajo, Maqedonia është e prekur duke pasur parasysh se u theksuan lëvizjet, ndërsa pati edhe protesta kundër Ligjit për Barazi Gjinore.

“Edhe Raporti i BE-së për vitin 2024 flet për rritjen e lëvizjeve antigjinore. Edhe si aktorë jemi në shënjestër të këtyre lëvizjeve antidemokratike që kanë për qëllim ta kthejnë pas barazinë gjinore. Të gjitha fushatat dhe narrativat nuk janë autentike vetëm për RMV-në, por kudo që janë të pranishme këto lëvizje. Aktorët politikë abuzojnë me lëvizjet antigjinore, sidomos para zgjedhjeve, për t’i mbrojtur disa vlera tradicionale. Këtu është përgjegjësia e partive dhe politikanëve, sidomos kur bëhet fjalë për përfaqësimin dhe rolin e grave. Gratë janë të ekspozuara ndaj dezinformatave dhe sulmeve në rrjetet sociale, ndërsa qëllimi është që gratë të tërhiqen nga hapësira publike”, tha Shkrielj.

Riçliev: Dezinformatat në epokën e inteligjencës artificiale (IA) po ndryshojnë

Duke folur për ndikimin e inteligjencës artificiale (IA), Zoran Riçliev, ekspert i mediave digjitale në Fondacionin “Metamorfozis”, theksoi se dezinformatat në epokën e IA-së po ndryshojnë.

“Modelet e mëdha gjuhësore mund të gjenerojnë me qindra informacione. Më të shpeshtat janë deep-fake videot dhe audiot, për të cilat më parë duheshin ditë për t’u krijuar, por tani bëhen për shumë pak kohë. Dezinformatat me bazë gjinore përhapet përmes fushatave të koordinuara që përdorin stereotipe kulturore për t’i larguar gratë nga hapësira publike. Kur sulmohet një burrë fokusi është tek përkatësia e tij ideologjike, ndërsa kur sulmohet një grua fokusi është tek pamja, morali dhe statusi i saj familjar. Për shembull, gazetaret femra nga Laboratori i Gazetarisë Investigative (IRL) janë shpesh objektiva të sulmeve. Në vitin 2023 Dragan Pavlloviq Latas publikoi një seri statusesh kushtuar Sashka Cvetkovskas dhe Denica Çadikovskas, të shoqëruara me foto, të cilat kishin për qëllim të provokonin komente urrejtëse. Qëllimi i gjithë kësaj ishte që t’i pengonte ato në një hulumtim të rëndësishëm që kishte të bënte me Prokurorinë Publike. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që t’i detyronte ata të tërhiqeshin”, tha Riçliev.

Në diskutim mori pjesë edhe Ditmire Shehu nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), e cila theksoi se KSHZ zhvillon procese që janë transparente dhe në frymën e barazisë gjinore.

“Media, platformat digjitale kanë përgjegjësinë të kontribuojnë për një publik të informuar. Lufta kundër dezinformatave duhet të bazohet në fakte, respekt dhe vlera demokratike. Në zgjedhje vetë qytetarët marrin vendime në mënyrë të lirë. KSHZ nuk shprehet vetëm deklarativisht, por brenda kornizës së funksionimit institucional kemi edhe perspektiva gjinore. KSHZ do të mbajë një konferencë mbi pjesëmarrjen e grave në zgjedhje, në të cilën do të shkëmbejmë informacione me partnerë vendas dhe të huaj dhe do të shohim se cilat janë trendet. Kjo do të bazohet në prova. Si KSHZ po përgatisim një analizë për atë se sa gra dalin të votojnë, sa është prania e tyre në vetë qendrat e votimit. Sepse ka vende ku gratë nuk kanë dalur të votojnë aspak dhe votat janë 100% nga burrat”, informoi Shehu.

Vladimir Petreski, redaktor i Vërtetmatësit | Foto: Meta.mk

Si pjesë e këtij eventi u mbajt edhe një punëtori, në të cilën pjesëmarrësit patën mundësinë të identifikojnë dhe analizojnë më shumë narrativa të dëmshme antigjinore, si dhe të definojnë mënyra për përfaqësim para institucioneve të sistemit.

Barazi gjinoreDezinformim - Dezinformatë - Lajm i rrejshëmFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)