LSDM ka dalë në terren për të parë se ku ndodhet kompania që fitoi tenderin për uniformat nga MPB. Ata thonë se nga kjo kompani nuk ka asnjë gjurmë, transmeton Portalb.mk.
“Jemi përpara ndërtesës në komunën Karposh në Shkup, në adresën ku, sipas dokumenteve zyrtare, është regjistruar një nga kompanitë që fitoi tender me vlerë 4 milionë euro nga Ministria e Brendshme. Kjo është adresa e kompanisë që u themelua vetëm 20 ditë para se të shpallej tenderi, Rruga Orce Nikolov 188/2-11, Shkup”, thonë nga LSDM.
Ata shtojn se n vendin ku kanë shkuar, nuk ka asnjë tabelë, asnjë punonjës, as edhe një gjurmë të një kompanie që mund të kryente një prokurim serioz publik, e lëre më uniforma të specializuara për policinë.
“Si është regjistruar kjo kompani? A ka kompania seli fiktive? Toshkovski është kapur i gjallë në një skandal të madh dhe duhet të përgjigjet. Si është e mundur që një “kompani” pa kapacitet, pa histori, pa punonjës, të fitojë një tender në Ministrinë e Brendshme me vlerë 4 milionë euro për uniforma? Ky nuk është një skandal i zakonshëm tenderi. Këto janë dyshime të bazuara mirë për korrupsion sistemik, i cili arrin deri në nivelet më të larta të qeverisë. LSDM kërkon hetim të menjëhershëm nga Prokuroria Publike dhe anulimin e këtij tenderi skandaloz. Paratë e qytetarëve nuk janë për marrëveshje partiake dhe biznesi të ministrave të VMRO-DPMNE-së! LSDM do të vazhdojë të demaskojë çdo marrëveshje të dyshimtë të kësaj qeverie të korruptuar. Duhet të ketë përgjegjësi!”, thonë nga LSDM.
Rasti i tenderit për uniforma për njësitë speciale, të cilin e fitoi një studio mode për femra nga Manastiri me dy punonjëse dhe një kompani të formuar 20 ditë para se të shpallej tenderi, u publikua nga “360 Gradë”, gjë që rezultoi në reagime nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Levica.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski foli për rastin dhe i përshkroi akuzat e opozitës si një përpjekje për ndërtim politik dhe një shpërqendrim nga reformat e vërteta.
Procedura, shtoi ai, i nënshtrohej kontrollit të detyrueshëm administrativ nga Byroja e Prokurimit Publik, gjatë së cilës nuk u gjetën parregullsi.