Partia Liberal-Demokratike (PLD) ka reaguar për gjendjen në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se ai përballet me probleme serioze për shkak të financimit të pamjaftueshëm, mungesës së kuadrit dhe ndikimeve politike. Në reagimin e saj, partia i referohet Raportit të njëmbëdhjetë në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politikë Evropiane (EPI), shkruan Portalb.mk.
Nga PLD-ja theksojnë se 18 nga gjithsej 34 gjykata janë joefikase, se ka mbi 134.000 lëndë të pazgjidhura, ndërsa disa prokurori funksionojnë pa asnjë prokuror publik.
PLD-ja kritikon se për pushtetin gjyqësor ndahen vetëm 0,26 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në vend të 0,8 për qind, sa parashikohet me ligj. Si problem shtesë e përmend anulimin e konkursit për pranimin e 130 kandidatëve në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, për shkak se Ministria e Financave nuk kishte siguruar mjetet e nevojshme.
Partia paralajmëron edhe për presione nga pushteti ekzekutiv ndaj Prokurorisë Publike, përmes deklaratave publike të funksionarëve të lartë qeveritarë lidhur me hetime dhe procedura konkrete gjyqësore.
“Pushteti nuk mund të kërkojë njëkohësisht rezultate nga prokuroria dhe, nga ana tjetër, të komentojë e kontestojë politikisht vendimet e saj. Nuk mund të thirret në sundimin e ligjit, ndërsa krijon një atmosferë në të cilën prokurorët duhet të mendojnë se cili do të jetë reagimi politik para se të marrin një vendim profesional”, thuhet në reagimin e LDP-së.
Sipas partisë, mungesa e kuadrit dhe e mjeteve financiare, së bashku me ndryshimet në Kodin Penal që kanë mundësuar parashkrimin e lëndëve për korrupsion të nivelit të lartë, kontribuojnë në një gjendje ku pandëshkueshmëria bëhet rregull, ndërsa drejtësia përjashtim.
Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, vlerëson se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e mjeteve financiare, por edhe te prioritetet politike.
“Është e qartë se pushteti ka para për funksionarët, por nuk ka para për drejtësinë!”, thekson Zajkova.
PLD-ja kërkon sigurimin urgjent të mjeteve financiare të parashikuara me ligj për sistemin e drejtësisë, zhbllokimin e pranimit të gjykatësve dhe prokurorëve të rinj publikë, uljen e shpenzimeve të panevojshme administrative dhe ridrejtimin e mjeteve buxhetore drejt institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë juridike të qytetarëve.
Nga partia kërkojnë gjithashtu ndërprerjen e presioneve politike ndaj prokurorisë, mbrojtjen e pavarësisë së saj, rishikimin e ndryshimeve në legjislacionin penal dhe vendosjen e mekanizmave efektivë të përgjegjësisë për korrupsionin e nivelit të lartë.
Kujtojmë se gjyqësori në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk po i jeton ditët më të mira profesionale. Presioni i pushtetit ekzekutiv ndaj gjyqësorit është evident dhe i regjistruar edhe nga organet ndërkombëtare. Kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit të cilin e publikon Komisioni Evropian çdo vit për Maqedoninë e Veriut, hasin në vesh të shurdhër. Kapituj e tituj të tërë për paanshmëri, pavarësi e departizim të institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, assesi të gjejnë zbatim në praktikë.
- LEXO: Gjyqësori në RMV, pa kushte, pa buxhet dhe jo transparent
- LEXO: Raportuesi i PE-së i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në gjyqësorin e RMV-së, ndërkohë Mickoski paralajmëroi pjesëmarrje në protesta
- LEXO: Debat për gjyqësorin në RMV: Gjykata nuk mund të jetë e pavarur nëse nuk ka autonomi financiare