Maqedonia e Veriut shënon 85-vjetorin e 11 Tetorit, manifestimi qendror mbahet në Kumanovë

Manifestimi qendror me rastin e shënimit të festës do të mbahet në mesditë te Kompleksi Përkujtimor i Dëshmorëve në Kumanovë. Sipas paralajmërimeve, në këtë manifestim pritet të mbajë fjalim kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa në Shkup, në Kuvend, do të ndahen çmimet e sivjetme “11 Tetori”, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut sot shënon 85-vjetorin e fillimit të kryengritjes popullore për çlirim dhe luftë kundër fashizmit, e cila nisi më 11 tetor 1941 në Prilep, kur çeta e parë partizane e Prilepit sulmoi stacionin policor në qytet. Një ditë më pas, në luftë u angazhuan edhe partizanët e Kumanovës. Kjo ngjarje shënon fillimin e luftës së organizuar për çlirimin e popullit maqedonas.

Nën moton “Ideale që ndërtojnë të ardhmen”, manifestimi qendror me rastin e shënimit të festës do të mbahet në mesditë te Kompleksi Përkujtimor i Dëshmorëve në Kumanovë. Sipas paralajmërimeve, aty pritet të mbajë fjalim kryeministri Hristijan Mickoski.

Në Shkup, në Kuvend, do të ndahen çmimet e sivjetme “11 Tetori”. Çmimi për vepër jetësore në fushën e kulturës dhe artit do t’i ndahet shkrimtarit, prof. dr. Venko Andonovski. Ndërsa çmimi për vepër jetësore në fushën e shkencës dhe arsimit do t’u ndahet gjuhëtarit, prof. dr. Dimitar Pandev, profesoreshës universitare Gjylymser Kasapi dhe prof. dr. Vlado Popovski, doktor i shkencave historike, politike dhe juridike.

Në kuadër të shënimit të festës, do të vendosen kurora me lule edhe në varrezat partizane në Butel, si dhe para Kompleksit Përkujtimor të Dëshmorëve në Kumanovë dhe te monumentet e Metodija Andonov-Çentos, Kuzman Josifovski-Pitu dhe “Kodra e të Pamposhturve” në Prilep. Delegacionin qeveritar në Prilep do ta kryesojë ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Kryengritja popullore filloi në këtë ditë të vitit 1941, kur çeta e parë partizane e Prilepit sulmoi stacionin policor dhe rrjetin telefonik e telegrafik në Prilep. Të nesërmen, më 12 tetor, me aksionet e tyre u aktivizuan edhe partizanët e çetës së Kumanovës.

Kulmi i luftës së organizuar për çlirimin e Maqedonisë së Veriut u arrit me vendimet e Seancës së Parë të ASNOM-it në vitin 1944, përmes të cilave u realizuan idealet shekullore për krijimin e shtetit maqedonas.

Pas disa dekadash zhvillimi dhe rritjeje si pjesë e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), Maqedonia e Veriut në vitin 1991, përmes referendumit të qytetarëve, u bë shtet i pavarur.

Sot, shteti ynë është anëtar me të drejta të plota i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Çmimi "11 Tetori”KumanovaMaqedonia e Veriut RMV