Komuna e Tetovës nuk e mbajti premtimin, nuk ka subvencione për biçikleta

Komuna e Tetovës deri tani nuk e ka përmbushur premtimin për subvencionimin e biçikletave, kështu tregon matrica e monitorimit nga programi për mbështetjen e zgjedhjeve. Komuna nuk tregon se pse nuk e ka realizuar këtë zotim deri tani, shkruan Portalb.mk.

Në Programin për Mbrojtjen e Ambientit të Komunës së Tetovës për vitin 2026 janë paraparë 1.250.000 denarë për subvencionimin e biçikletave.

“Megjithatë, në planin buxhetor është identifikuar shumë prej 1.500.000 denarësh për kategorinë e përgjithshme të mbrojtjes së ambientit, e cila përfshin edhe aktivitete tjera. Nuk është e qartë në cilin zë buxhetor janë siguruar mjetet për këtë masë. Nuk ka ribalanc të evidentuar”, thuhet në raportin e monitoruesve.

Monitoruesit tregojnë se deri në fund të periudhës raportuese nuk janë identifikuar publikime të dedikuara për subvencionimin e biçikletave, ndërsa nuk janë publikuar informata për fondet, kriteret, dokumentacionin, afatet apo mënyrën e aplikimit.

“Në takim me komunën është theksuar se nuk ka prokurime lidhur me subvencionimin e biçikletave. Mbetet për t’u sqaruar procedura administrative dhe financiare për realizimin e pagesave për përfituesit”, thuhet në raport.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës informacion se pse nuk është realizuar kjo masë deri tani, a do të realizohet, nëse po, kur dhe nëse jo, pse, por nga komuna nuk u përgjigjën.

Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar në mandatin e kaluar se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhej deri në përfundim të mandatit, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.

Ndërsa në qershor 2026Kasami paralajmëroi janë duke përgatitur projekt për shteg për biçikletat dhe trotinetët elektrikë, por nuk dha detaje se kur kjo do të realizohet në terren. 

Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi

Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt. Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.

Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit. 

Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro. 

Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.

BicikletaBilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësTetova