Mandati po i përfundon pa shteg të biçikletave, Kasami: Me rëndësi që zgjidhja të jetë e qëndrueshme 

Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhet deri në përfundim të këtij mandati, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme, raporton Portalb.mk.

Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.

I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se po punohet në këtë drejtim në kuadër të studimit që e kanë porositur për mobilitet.

“Nga ai studim ne presim të dalin të gjitha informatat se si të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve, edhe i atyre me vetura, biçikleta dhe në këmbë. Është një projekt gjithëpërfshirës të cilin ne nuk mund të mënyrë parciale ta zgjidhim. Pra është një plan më gjithëpërfshirës i lëvizjes së lirë të qytetarëve që besoj se do ta kemi nga momenti kur do jetë studimi i mobilitetit, dhe aty do të kemi një pasqyrë më të qartë se në cilat segmente të qytetit ka nevojë të futim edhe mundësinë për të lëvizur me biçikletë”, tha Kasami. 

Ai theksoi se për atë më pak e rëndësishme është se a do të jetë në këtë mandat apo në mandatin tjetër. 

“Për mua si në shumë raste tjera me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme dhe afatgjate”, tha Kasami. 

Planin e mobilitetit është duke e përgatitur Instituti INSI nga Kosova, dhe i njëjti pritet të jetë gati brenda gjashtë muajve.

Në ndërkohë, padia për keqpërdorime në projektin e shtegut të biçiketave të cilën kryetari aktual i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e dorëzoi në janar 2022 e dorëzoi kundër ish-kryetares Teuta Arifi, ende nuk ka marrë epilog. 

Nga Prokuroria Publike kanë theksuar për Portalb.mk se rasti ende është duke u trajtuar sipas udhëzimeve të dhëna nga Prokuroria e Lartë Publike në Gostivar, pas së cilës do të merret vendim i prokurorit publik. 

Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi. 

Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt.

Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.

Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit. 

Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro. 

BicikletaBilall KasamiKomuna e TetovësTetova