Shumë libra dhe lexues, pak hapësirë dhe transferim në hapësirë ende më të vogël. Me një fjali kështu mund të përshkruhet gjendja në të cilën është katandisur e Bibliotekës së Tetovës.
Ky institucion me vite punon në kushte mjaft të vështira e hapësira mjaft të kufizuara, ndërkaq për të mos u mjaftuar me këtë, atyre u ka shkuar urdhri nga Ministria e Kulturës dhe Qeveria se duhet të transferohen në hapësira të tjera, aty diku afër të cilat nuk janë tjetër veç se klasa e që për një bibliotekë të kësaj përmase është si të mundohesh të fusësh të gjithë shtëpinë në një valixhe, por që nuk e nxë!
Shkaku për këtë është se Biblioteka e Tetovës funksionon në hapësirat e Pallatit të Kulturës dhe kjo hapësirë, me vendim të Qeverisë do t’i jepet për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë.
Shtëpia e Evropës është më se e mirëseardhur në Tetovë, do të sjell vlerat evropiane më afër të rinjve dhe gjithë qytetit dhe do gjallërojë të njëjtin, madje e njëjta i ka munguar këtij qyteti. Por, Qeveria duhej që të gjente një vend tjetër që i plotëson kushtet, jo bibliotekën e cila edhe aty ku është mezi funksionon.
Si mundet që mbi 33 mijë tituj, mbi 88 mijë libra dhe mbi 5 mijë lexues aktiv të futen në tre-katër klasa? Kjo vërtetë nuk i ka hije një biblioteke.
Institucionet në vend se ta zgjerojnë këtë bibliotekë, ata duan ta transferojnë në vend më të vogël i cili është edhe “kërcënues” për librat.
I gjithë ky kaos dhe kjo huti e krijuar ditëve të fundit nuk do të ekzistonte aspak po qe se institucionet do kishin punë sa kanë pasur fjalë për objektin e ri të Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, i njëjti sot të ishte i përfunduar dhe biblioteka nuk do të përballej me problemin e “ekzistencës”. Të gjithë do ishin të lumtur, “hoxha i ngopur, miku i ngopur”.
Institucionet po mundohen të vrasin kulturën dhe artin në Tetovë, këtë e dëshmon zvarritja e ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës, i cili premtohet 13 vite, ndërtohet 9 vite dhe pritet të jetë gati pas 5 viteve tjera në vitin 2027, marrë parasysh dinamikën e punimeve dhe seriozitetin e institucioneve, kjo nuk është çudi që të zgjatet edhe më shumë. Ndërkaq Bota në gjithë këtë periudhë ka bërë çudi, ndërkaq vendi jonë një objekt nuk është në gjendje ta përfundojë.
E për të mos përfunduar këtu, lexuesve duket se nuk u ka shërbyer aspak ajo që kanë lexuar nga biblioteka, sikur fare nuk po kanë vetëdije për këtë “kërcenim” që po u bëhet. Shkruajnë nga një status në Fejsbuk dhe aq, aty përfundon obligimi i tyre ndaj bibliotekës. Zero vetëdije kolektive, dhe ky nuk është rasti i vetëm!
Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.