37 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe kriza e gazetarisë sot

Kjo javë shënoi 37-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, (9 nëntor 1989) ngjarje që çoi në ribashkimin e dy Gjermanive, rënien e komunizmit dhe, më vonë, në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik (BRSS) dhe të Jugosllavisë (RSFJ).

Lindën demokraci të reja, por u shfaqën edhe sfida të reja, si në Evropë ashtu edhe gjetkë. Në atë kohë, ekzistonte shpresa se tirania kishte marrë fund. Megjithatë, duke parë situatën aktuale, gjërat nuk duken të qëndrueshme.

Përpara kemi sfida të mëdha, që mbartin rrezikun e trazirave globale. Kur bota ndryshon me shpejtësi, pyetja e parë që parashtrojmë është se kush na tregon të vërtetën.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kujtojmë ata që luajtën një rol kyç në rënien e komunizmit. Përveç faktorëve ekonomikë, socialë dhe ushtarakë, një rol vendimtar luajtën edhe media e gazetarët.

Figura të shquara të gazetarisë televizive amerikane, si Peter Jennings, Dan Rather dhe Tom Brokaw, raportuan drejtpërdrejt nga Berlini në kohën kur qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ-DDR) vërshuan drejt Murit të Berlinit.

I mbaj mend ende ato net kur, pas rënies së Murit, gazetarët e lartpërmendur raportuan nga Porta e Brandenburgut mbi zhvillimet që po ndodhnin në të dyja anët e Berlinit.

Në botën e sotme, me zhvillimin (dhe keqpërdorimin) e inteligjencës artificiale dhe formave të ndryshme të komunikimit, është bërë tejet e vështirë të dallohen lajmet e vërteta nga ato të rreme apo format e tjera të dezinformimit.

Për mediat serioze do të jetë gjithnjë e më e vështirë të identifikohen burimet dhe të raportohet saktë mbi çështjet që lidhen me lirinë, luftën apo paqen. Dhe do të bëhet më e vështirë për audiencën të dallojë se nga cila anë vjen e vërteta.

Sot e kësaj dite, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh gazetarin e mirë nga gazetari i cili krijon me inteligjencë artificiale lajme dhe raporte, i cili pretendon të kryejë punën e gazetarit real, një proces që nuk është thjesht një detyrë e një makine llogaritëse, por një veprimtari njerëzore, intelektuale dhe profesionale.

Teksa jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh në politikën ndërkombëtare dhe në fusha të tjera të garës gjeoekonomike, profesioni i gazetarit rrezikon të zhvlerësohet, pasi aktorë të tjerë përfshihen në fushën e lajmeve dhe të mbledhjes së informacionit.

Në dekadën e ardhshme, do të jetë tejet e vështirë të gjesh gazetarë të vërtetë të “botës së lirë”. Po shfaqet një profil tjetër gazetari, ashtu siç e shohim sot në raportimin e garës mes ShBA-së dhe Kinës për prodhimin e çipave, ku gazetarët marrin më tepër rolin e spiunit.

Do të jetë e vështirë të gjendet një profil si i gazetarëve Peter Jennings, Dan Rather dhe Tom Brokaw, apo dhe i gazetares Christiane Amanpour. Në kontekstin tonë evropian dhe ballkanik, degradimi i gazetarisë së mirë dhe të lirë do të vazhdojë.

Me përjashtim të disa mediave dhe gazetarëve që operojnë me integritet, raportimi do të ndjekë të njëjtat prirje të rënies globale të standardeve të gazetarisë profesionale.

Në Ballkanin Perëndimor do të shfaqen forma raportimi që nxisin ndjenjat etnike dhe shoviniste, ndërkaq gazetaria digjitale e pakontrolluar mund t’i ushqejë ende më shumë palët e përfshira në keqkuptimet historike.

Në hapësirën shqiptare, gazetaria dikur ishte pioniere e raportimit të drejtë dhe të balancuar. Sot, ajo e ka humbur këtë rol, sepse janë të paktë gazetarët që ende i ruajnë standardet.

Në Kosovë situata është edhe më shqetësuese, pasi nuk respektohen as standardet e gjuhës shqipe në të folur dhe në të shkruar. Ky fenomen është përhapur edhe te disa “gazetarë” në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Në Shqipëri, ndërkohë, hasim probleme të tjera si përdorimi i tepruar i fjalëve të huaja në të gjitha mediat dhe rënia e standardeve. Në përgjithësi, gazetaria shqiptare po kalon një krizë.

Nga një këndvështrim tjetër, mënyra e re e raportimit digjital, nëse përdoret në mënyrë profesionale, me dinjitet dhe standarde, mund të shërbejë për të parandaluar luftërat, për të pasqyruar gjendjen njerëzore dhe për të qenë nismëtare e një revolucioni, duke u bërë pjesë e zhvillimeve të ardhshme në dobi të demokracive dhe të njerëzimit.

A mund të gjejmë më shumë gazetarë të ngjashëm me personalitetet e përmendura më lart? A mund të edukojmë apo të formojmë të tjerë si ata? Në çdo shoqëri ka anë të mira dhe të këqija. Në fund, koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë dhe kush do ta thotë të vërtetën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi