Digjitalizimi në RMV mes progresit dhe ngecjeve: KE-ja kërkon më shumë reforma, institucionet ende me sisteme të fragmentuara

Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në transformimin digjital, por ende përballet me mangësi në digjitalizimin e institucioneve, sigurinë kibernetike, rregullimin e inteligjencës artificiale dhe shërbimet elektronike. Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2026 vlerëson se vendi është ndërmjet nivelit mesatar dhe atij të mirë të përgatitjes në këtë fushë. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e reformave mbeten të papërfunduara, ndërsa nga 136 hapat e planifikuar për disa fusha reformuese, përfshirë digjitalizimin, janë realizuar vetëm 22, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht përparimit të evidentuar, Komisioni Evropian thekson se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë më shumë për harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane, veçanërisht në fushën e shërbimeve digjitale, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.

Rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, prandaj mbeten kryesisht të vlefshme edhe për periudhën e ardhshme.

Një nga mangësitë kryesore është mungesa e rregullimit të duhur ligjor për inteligjencën artificiale dhe keqpërdorimet digjitale. Vendi ende nuk ka vendosur në Kodin Penal dispozita për keqpërdorimet që përfshijnë përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Njëkohësisht, kapacitetet e kufizuara mbikëqyrëse nuk mundësojnë kontroll efektiv mbi përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale dhe të dhënave biometrike, përfshirë sektorin privat.

Komisioni kërkon zhvillimin e legjislacionit dhe mekanizmave institucionalë për zbatimin e tij, në përputhje me Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale.

Probleme evidentohen edhe në sistemin e drejtësisë. Megjithëse kanë filluar hapa për shkëmbimin elektronik të dokumenteve, digjitalizimi i plotë i gjykatave mbetet i parealizuar, veçanërisht në komunikimin me qytetarët dhe përdorimin e videokonferencave gjatë seancave gjyqësore. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mungojnë ekspertë dhe analistë të mjaftueshëm për forenzikën digjitale.

Ngecje ka edhe në funksionimin e sistemeve elektronike të institucioneve shtetërore.

Në raport kërkohet përmirësimi i shërbimit të numrit emergjent 112, përmes shtimit të burimeve njerëzore dhe përmirësimit të sistemeve. Ndërkaq, pavarësisht forcimit të kornizës ligjore për sigurinë kibernetike, institucionet shtetërore ende kanë nevojë për infrastrukturë dhe ekspertizë shtesë.

“Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike ende ka nevojë për rritje të konsiderueshme të numrit të personelit dhe të kapaciteteve operacionale”, thuhet në raport.

Progres i pjesshëm në shërbimet elektronike dhe infrastrukturën digjitale

Përkundër këtyre mangësive, Komisioni Evropian vëren përmirësime të konsiderueshme në digjitalizimin e shërbimeve publike gjatë vitit 2025 dhe gjysmës së parë të vitit 2026. Megjithatë, qasja në këto shërbime dhe cilësia e tyre ende nuk i përmbushin plotësisht standardet evropiane.

“Në fushën e shërbimeve digjitale, Maqedonia e Veriut është pjesërisht e harmonizuar me legjislacionin e BE-së”, thuhet në raport.

Ministria e Transformimit Digjital ka avancuar lidhjen dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, ndërsa portali kombëtar i shërbimeve elektronike është zgjeruar me shërbime të reja për qytetarët dhe bizneset. Deri në fund të qershorit 2026, gjithsej 44 institucione përdornin sistemin e ri elektronik për arkivim dhe menaxhim të dokumenteve.

Megjithatë, nevojiten përpjekje për rregullimin më të mirë të platformave online, mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e qasjes së barabartë në shërbimet digjitale.

Edhe përgatitjet për krijimin e portofolit të identitetit digjital janë duke vazhduar. Komisioni kërkon që mjetet ekzistuese të identifikimit dhe nënshkrimit elektronik të bëhen më të thjeshta për përdorim dhe falas për qytetarët.

Pabarazitë në qasjen digjitale mbeten tjetër shqetësim. Edhe pse 92% e amvisërive kishin qasje në internet në fund të vitit 2025, krahasuar me 83,7% në vitin 2021, pengesat vazhdojnë në zonat rurale dhe te bizneset e vogla. Gratë rurale dhe ato të moshuara përballen gjithashtu me vështirësi në shfrytëzimin e shërbimeve publike digjitale.

Nga digjitalizimi i shkollave te rrjeti 5G, ku ka përparuar vendi?

Në anën tjetër, Komisioni Evropian evidenton disa zhvillime konkrete në legjislacion, arsim dhe infrastrukturën teknologjike.

Gjatë vitit 2025 dhe gjysmës së parë të vitit 2026, vendi ka avancuar harmonizimin e legjislacionit për komunikimet elektronike me atë të BE-së. Ligji i ri për komunikime elektronike filloi të zbatohet plotësisht në qershor 2026, duke krijuar kushte për mbrojtje më të mirë të konsumatorëve, konkurrencë dhe zgjerim të rrjeteve të gjeneratës së ardhshme.

Rrjeti celular 5G ka vazhduar të zgjerohet, ndërsa në janar 2026 një operator i ri mori licencën për t’u bërë operatori i tretë i rrjetit celular në vend. Gjithashtu, është miratuar legjislacioni i harmonizuar me direktivën evropiane NIS2 për sigurinë kibernetike.

Përparim konkret është shënuar edhe në arsim. Gjithsej 160 shkolla fillore janë pajisur me infrastrukturë të teknologjisë së informacionit, ndërsa aftësitë digjitale janë përfshirë në programet mësimore të arsimit të mesëm.

Në administratë, Kadastra ka vazhduar digjitalizimin dhe ka zvogëluar numrin e lëndëve të pazgjidhura me 40% shtesë, ndërsa Enti Shtetëror për Pronësi Industriale ka digjitalizuar plotësisht bazën e të dhënave për patentat dhe markat tregtare.

Ndër zhvillimet e reja është edhe themelimi i antenës kombëtare të inteligjencës artificiale “Vezilka“, e lidhur me rrjetin evropian të fabrikave të inteligjencës artificiale. Projekti koordinohet nga Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike në Shkup, në partneritet me fabrikën “Pharos” në Greqi.

Komisioni Evropian vlerëson se këto zhvillime e afrojnë Maqedoninë e Veriut me standardet digjitale evropiane, por thekson se përparimi teknologjik duhet të shoqërohet me forcimin e institucioneve, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe zbatimin efektiv të reformave.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.

Agjenda Digjitale e BEBashkimi Evropian (BE)DigjitalizimIdentiteti digjitalMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëShërbime elektronike - digjitale shetëroreVezillka