Po të shëronin raportet, Maqedonia e Veriut do të kishte një nga sistemet shëndetësore më të mira në Evropë. Për sëmundjet e tij janë shkruar aq shumë diagnoza, sa mund të mbushej një bibliotekë. Strategjitë janë miratuar, komisionet janë mbledhur, reformat janë paralajmëruar.
Pastaj, me një rregullsi për t’u pasur zili, vjen raporti i radhës dhe na kujton se pacienti vazhdon të jetë i sëmurë.
Në mjekësi, përsëritja e diagnozës pa filluar mjekimin do të quhej pakujdesi. Në administrimin e shëndetësisë duket se është bërë metodë pune.
Raporti i Komisionit Evropian, i 4 nëntorit 2026, konstaton se vendi nuk ka shënuar përparim në Kapitullin 28, ku përfshihet edhe shëndetësia. Rekomandimet e mëparshme mbeten në fuqi. Kjo nuk do të thotë se nuk është bërë asgjë. Do të thotë se ajo që është bërë nuk ka mjaftuar. Dallim i rëndësishëm, sidomos në një vend ku shpesh ngatërrohet puna e kryer me rezultatin e arritur.
Në shtatë editorialet e mëparshme në Portalb kemi trajtuar financimin, pagesat nga xhepi, pabarazitë, largimin e profesionistëve, të dhënat shëndetësore që nuk shkëmbehen, skriningun dhe reformat e ndërprera. Nuk ka nevojë t’ua hapim sërish dosjet. Ato nuk janë mbyllur ende.
Pyetja që mbetet është më e pakëndshme: si ka mundësi që një sistem i njeh kaq mirë problemet e veta, por ka kaq shumë vështirësi t’i zgjidhë?
Përgjigjja më e përdorur është mungesa e parave. Dhe paratë vërtet mungojnë. Por mungesa e tyre nuk e shpjegon gjithçka. Madje, ndonjëherë shërben si përgjigje e gatshme për të shmangur një pyetje tjetër: çfarë bëjmë me ato që kemi?
Në një sistem me burime të kufizuara, përcaktimi i përparësive nuk është luks administrativ. Është detyrim. Jo çdo kërkesë e një institucioni është nevojë e ngutshme e qytetarëve. Jo çdo investim që duket bukur në fotografi sjell përfitimin më të madh shëndetësor.
Një aparat i ri mund të përurohet me fjalime dhe shirita. Një infarkt i parandaluar nuk organizon ceremoni. Një grua që merr përgjigjen e ekzaminimit në kohë nuk bëhet lajm. As një i moshuar që nuk detyrohet të zgjedhë ndërmjet barnave dhe ushqimit. Megjithatë, pikërisht këtu matet vlera e sistemit.
Michael Marmot ka treguar se shëndeti nuk përcaktohet vetëm nga shërbimet mjekësore, por edhe nga kushtet e jetesës dhe pabarazitë shoqërore. Theodore H. Tulchinsky, në veprën The New Public Health, e sheh parandalimin dhe organizimin e kujdesit si pjesë të pandashme të mjekësisë. Mësimi për ne është i qartë: nuk mjafton të numërojmë çfarë kanë institucionet. Duhet të dimë çfarë u mungon njerëzve.
Observatori Evropian dhe OBSH-ja kanë dokumentuar dobësi në financim, organizim dhe bashkërendim. Pra, këshillat nuk mungojnë. Ajo që mbetet e paqartë është si përkthehen ato në vendime dhe kush përgjigjet kur nuk zbatohen.
Prandaj na duhet një vlerësim i nevojave shëndetësore sipas rajoneve. Ku sëmuren më shumë njerëzit? Ku mungojnë shërbimet? Kush pret më gjatë? Ku mund të shpëtohen më shumë jetë me të njëjtat mjete?
Prej këtyre përgjigjeve duhet të dalë një plan trevjeçar me pak përparësi, financim të përcaktuar dhe afate të qarta. Ministria, Fondi dhe institucionet shëndetësore duhet të raportojnë jo vetëm sa kanë shpenzuar, por çfarë kanë ndryshuar. Sepse shpenzimi i plotë i buxhetit nuk është domosdoshmërisht sukses. Ndonjëherë është vetëm dëshmi se paratë kanë mbaruar.
Natyrisht, mangësitë e grumbulluara gjatë dekadave nuk mund të ndreqen brenda një mandati. Por kjo nuk duhet të shërbejë si arsyetim për t’ua lënë zgjidhjen atyre që vijnë më pas. Deri tani, problemet kanë kaluar nga një qeveri te tjetra me një rregullsi për t’u pasur zili. Për fat të keq, kjo duket të jetë vazhdimësia më e qëndrueshme e reformave tona.
Vitin e ardhshëm Brukseli do të na dërgojë një raport tjetër. Do të ketë sërish vlerësime, tabela dhe rekomandime. Nuk është vështirë të merret me mend çfarë do të përmbajë nëse ndërkohë vazhdojmë të ngatërrojmë veprimtarinë me përparimin.
Sepse shteti nuk e përmirëson shëndetësinë duke dëshmuar sa mirë i njeh problemet e saj. E përmirëson kur arrin t’i zgjidhë.
Diagnozën e kemi. Mbetet të shihet nëse do të fillojmë mjekimin, apo do të porosisim edhe një konsultë për të na konfirmuar atë që tashmë e dimë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.