Çfarë u mësojmë djemve tanë?

Rasti i Sarës nga Ohri, e cila përfundoi në spital pas dhunës së rëndë të ushtruar ndaj saj nga i dashuri, është një nga ato ngjarje që të detyrojnë të mendosh jo vetëm për dhunën, por edhe për shoqërinë që e toleron atë. Sipas dëshmisë publike të nënës së saj, i dyshuari, duke menduar se vajza kishte vdekur, paskësh kërkuar këshillë nga babai i tij se si të largonte trupin. Këto pretendime duhet të hetohen dhe të vërtetohen nga institucionet kompetente. Por vetëm mundësia që një bisedë e tillë të ketë ndodhur ngre një pyetje të tmerrshme: si arrin një njeri ta shohë një jetë njerëzore si problem që duhet fshehur, e jo si jetë që duhet shpëtuar?

Në prag të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, duhet të flasim për diçka që fillon shumë më herët se dhuna fizike. Duhet të flasim për mënyrën se si i rrisim fëmijët tanë.

Në shumë familje, djemve dhe vajzave ende u mësohen rregulla të ndryshme për të njëjtën jetë. Djalit i falet zemërimi, vajzës i kërkohet durim. Djalit i justifikohet xhelozia si shenjë dashurie, vajzës i thuhet të mos e provokojë. Djalit i tolerohet sjellja agresive sepse “është djalë”, ndërsa vajzës i kërkohet të jetë e kujdesshme, e matur, të mos flasë shumë e të mos e turpërojë familjen.

Dhe kështu, pa e kuptuar, krijojmë dy standarde morale. Njërin që i mëson dikujt se ka të drejtë të kontrollojë, dhe tjetrin që i mëson dikujt tjetër se duhet ta durojë kontrollin.

Natyrisht, jo çdo djalë i rritur në një mjedis të tillë bëhet i dhunshëm, as çdo familje i kultivon këto bindje. Por çdo herë që e arsyetojmë agresivitetin, që e quajmë posesivitetin dashuri dhe që e trajtojmë nënshtrimin si virtyt, kontribuojmë në normalizimin e një marrëdhënieje të pabarabartë.

Ajo që më shqetëson veçanërisht në rastin e Sarës është pikërisht dimensioni familjar. Nëse pretendimet për bisedën me babain vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me diçka që shkon përtej përgjegjësisë individuale të një dhunuesi. Kemi një shembull të frikshëm të asaj që ndodh kur mbrojtja e fëmijës ngatërrohet me mbrojtjen e veprimeve të tij, sado të rënda qofshin ato.

Sepse dashuria prindërore nuk nënkupton ta mbrosh fëmijën nga pasojat e çdo veprimi. Ndonjëherë, dashuria më e madhe është t’ia mësosh përgjegjësinë, t’ia vendosësh kufijtë dhe t’ia bësh të qartë se askush nuk ka të drejtë të cenojë dinjitetin dhe jetën e tjetrit.

E njëjta përgjegjësi vlen edhe për mënyrën se si i rrisim vajzat. Duhet të ndalojmë së mësuari se durimi është gjithmonë virtyt. Durimi përballë vështirësive të jetës mund të jetë forcë, por durimi i dhunës nuk është detyrim moral. Një vajzë nuk duhet të mësojë se duhet të sakrifikojë sigurinë e saj për ta ruajtur një lidhje, një martesë apo reputacionin e familjes.

Sa herë kemi dëgjuar shprehjen “mos e prish familjen” të drejtuar ndaj një gruaje që vuan nga dhuna? Po sa herë i kemi thënë burrit të dhunshëm se familjen e ka shkatërruar ai, në çastin kur ka ngritur dorën?

Këtu fillon standardi i dyfishtë. Kur përgjegjësia për ruajtjen e familjes i lihet atij që vuan, ndërsa atij që shkakton vuajtjen i ofrohen arsyetime.

Sigurisht, edukimi familjar nuk është përgjigjja e vetme. Shteti ka detyrim të parandalojë, të mbrojë viktimat, të hetojë dhe të ndëshkojë dhunën. Institucionet duhet të veprojnë para se të jetë tepër vonë, jo vetëm pasi një grua përfundon në spital apo humb jetën. Por as ligji më i mirë nuk mund ta zëvendësojë plotësisht edukimin që fillon në shtëpi.

Prandaj, gjatë këtyre 16 ditëve, krahas fushatave, konferencave dhe deklaratave publike, do të ishte mirë të bënim edhe një bisedë të sinqertë brenda familjeve tona. T’i pyesim djemtë tanë çfarë kuptojnë me dashuri, me respekt dhe me refuzim. T’u mësojmë se fjala “jo” nuk është fyerje, se xhelozia nuk jep të drejtën e kontrollit dhe se forca nuk dëshmohet duke frikësuar dikë më të pambrojtur.

T’u mësojmë vajzave se dashuria nuk duhet të shkaktojë dhimbje dhe se askush nuk ka të drejtë t’ua kërkojë heshtjen në emër të traditës, moralit apo turpit.

Mbi të gjitha, t’u mësojmë të gjithë fëmijëve se dinjiteti njerëzor nuk ka gjini.

Sepse pyetja nuk është vetëm si t’i mbrojmë vajzat tona nga dhuna. Pyetja është edhe si t’i rrisim djemtë tanë që të mos bëhen burim i saj.

Dhe ndoshta pikërisht aty fillon parandalimi i vërtetë: jo atëherë kur i mësojmë vajzës si të mbijetojë pranë një njeriu të dhunshëm, por kur i mësojmë djalit se nuk ka asnjë të drejtë të bëhet i tillë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit