Sa herë shënojmë përvjetorët e Kongresit të Manastirit, duhet ta kujtojmë edhe Mid’hat Frashërin, të njohur me pseudonimin Lumo Skëndo.
Ai ishte dijedashës. S’ka dijedashës që nuk është libërdashës. Biblioteka e tij personale, me mijëra libra, dokumente e harta të rralla, pasurohej vazhdimisht me vepra të rëndësishme për kulturën dhe historinë kombëtare. Me shkrimet e tij, ai e informonte vazhdimisht lexuesin shqiptar për librat e autorëve të huaj që kishin në qendër kulturën dhe historinë shqiptare.
Lumo Skëndoja u shqua me shkrimet letrare e eseistike dhe si botues i disa revistave. Shkroi libra për shqiptarët dhe për raportet e tyre me fqinjët, madje edhe në frëngjisht, dhe përktheu vepra të autorëve të huaj. Ai kishte edhe librarinë e famshme “Lumo Skëndo”, me libra në shqip dhe në gjuhë të huaja.
Më 1929 la me testament që biblioteka personale, së bashku me pasurinë materiale, të ishin në shërbim të kulturës dhe shkencës.
“Ç’ë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, para etj., i lë për krijimin’ e një ‘Institut Albanologjie’, që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”
Dëshira e Lumo Skëndos ishte që instituti të vendosej në një shtëpi të madhe dhe të kishte një a dy dhoma “ku të mundin të bujtin dhe të rrinë musafirë studimtarët albanologë të huaj”. Kjo dëshirë nuk u realizua.
Dëshira tjetër e tij ishte që pranë Institutit, i cili do të merrej me studimin e historisë, gjuhës, folklorit dhe letërsisë shqipe, të ishte varri i tij. As kjo dëshirë nuk u realizua.
Vetëm shpirtrat e lartësuar, të udhëhequr nga idealet sublime, mund ta bëjnë akte të tilla: t’i falin kombit gjithçka, pa kërkuar asgjë prej tij.
Lumo Skëndoja ishte nga dera e madhe e Frashërllinjve: i biri i idealistit Abdyl Frashëri dhe nip i Naimit e Samiut. Kjo origjinë pati rol vendimtar në formimin e tij intelektual dhe në botëkuptimin e tij për jetën, shoqërinë, kulturën e kombin.
At Zef Valentini kështu i shkroi Tajar Zavalanit për ndarjen nga jeta të Mid’hat Frashërit: “Mjerisht sot Shqipëria nuk ka një shtyp që të jetë zëri i saj e që të mundet të kujtojë meritat e këtij njeriu, i cili pa dyshim për këdo – mik a armik politik të njëri-tjetrit – ka përfaqësuar gjithmonë e pothuaj i vetmi një ide: atë të sjelljes politike jo sipas drejtimit të tjetërkujt, qoftë edhe të shumicës, por vetëm të bindjes së vet, e prandaj të ndërgjegjes”.
Ne që lartësojmë vlera të tilla kombëtare, a e kemi pyetur veten nëse do ta bënim të njëjtën gjë?
Gjendja e sotme nuk dallon nga ajo që përshkruhet në satirën “Gomari i Babatasit” të Gjergj Fishtës, një tjetër emër i lartësuar i kombit, që na kujtohet sa herë shënojmë përvjetorët e Kongresit të Manastirit.
Fishta, që gjuhës sonë ia shpiku të gjitha hiret, siç tha Ernest Koliqi, thumboi mungesën e përgjegjësisë qytetare e kombëtare dhe dobësitë e shoqërisë e të jetës politike shqiptare. Ai shprehu zhgënjimin për humbjen e ndjenjës së detyrës ndaj kombit dhe i vuri në lojë njerëzit pa përgjegjësi dhe pa ideale, që flisnin për atdhedashurinë, por atdheun e mendonin sa oborri i tyre.
Lumo Skëndoja, ndërkaq, është idealisti që atdhedashurinë e dëshmoi jo me fjalë e mburrje, por me punë të palodhur, përgjegjësi, ndershmëri dhe guxim.
Në historinë tonë nuk kanë munguar njerëzit që duhet të shërbejnë si modele udhëzuese, por, për fat të keq, më të shumtë kanë qenë tipat që i kritikoi Lumo Skëndoja dhe i thumboi Gjergj Fishta.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.