Një grua 76-vjeçare është gjetur pa shenja jete këtë mëngjes nga vajza e saj, në një shtëpi në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Sot në orën 9:18, M.A., vajza e të ndjerës, ka denoncuar se në një shtëpi në rrugën “Gjurçin Kokale”, në Gjorçe Petrov, e kishte gjetur nënën e saj O.A. (76) pa shenja jete.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, me shenja të dukshme dhune.
Për rastin është njoftuar prokurori publik, me udhëzimet e të cilit trupi i të ndjerës është dërguar për obduksion.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes së gruas.
Ky është rasti i dytë brenda vetëm pesë ditësh në të cilin një person është gjetur i vdekur me shenja dhune në Gjorçe Petrov të Shkupit.
Në rastin e parë, një burrë 62-vjeçar ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, në komunën e Gjorçe Petrovit në Shkup. Në vendngjarje, mjeku kishte konstatuar vdekjen me shenja dhune.