Kallëzim penal ndaj një shkupjani që publikonte episode të një seriali në Facebook pa të drejta autoriale

Kallëzim penal është ngritur ndaj një 46-vjeçari nga Shkupi, nën dyshimin për shkelje të të drejtave autoriale dhe pirateri të një vepre audiovizuale, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve të Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, J.K., gjatë vitit 2024, si administrator i një faqeje në Facebook, kishte publikuar pa leje episode të një seriali televiziv, të drejtat ekskluzive autoriale të të cilit, në bazë të një kontrate të lidhur më parë, i ishin dhënë vetëm shërbimit programor të një televizioni.

Procedura është iniciuar pas një kallëzimi të mëparshëm të dorëzuar nga një televizion në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) në Shkup.

Sipas pretendimeve, i dyshuari, përmes profilit të tij në Facebook, përveç serialeve, filmave dhe përmbajtjeve dokumentare të tjera, kishte publikuar edhe episode të serialit për të cilin nuk kishte të drejta autoriale.

Me urdhër të PTHP-së në Shkup, policia ka zhvilluar hetime, e ka thirrur të denoncuarin në bisedë informative dhe ka sekuestruar përkohësisht një pajisje elektronike në pronësi të tij.

Pas analizës forenzike digjitale të pajisjes, siç informojnë nga MPB-ja, janë konfirmuar pretendimet e kallëzimit dhe deklarata e dhënë nga i denoncuari.

Facebook - MetaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Të drejtat e autorit