Iva Mihaillova kërkoi të marrë pjesë përmes me video në gjykim, gjykata e refuzoi

Pas paraqitjes në një podkast, ku bëri një sërë fyerjesh ndaj Maqedonisë dhe akuzoi për diskriminim ndaj saj, 23-vjeçarja Iva Mihaillova dha intervistë edhe për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT). Edhe në këtë intervistë ajo bëri akuza të rënda për keqtrajtim psikologjik, ndjekje dhe bastisje të paligjshme nga ana e shërbimeve policore maqedonase gjatë qëndrimit të saj në Koçan, transmeton Portalb.mk.

Kundër Mihaillovës, e cila u largua drejt Bullgarisë, në Gjykatën Themelore në Koçan po zhvillohet procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale. Në deklaratën për BNT, ajo bëri të ditur se avokati i saj tashmë i ka dorëzuar kërkesë gjykatës së Koçanit që t’i mundësohet pjesëmarrja përmes videokonferencës në seancën e radhës, të caktuar për sot.

Sipas informacioneve të BNT-së, e cila po e ndjek seancën në Koçan, prokurori Igorço Krstov është kundërshtuar kërkesës së Mihaillovës, duke vlerësuar se e akuzuara mund të paraqitet personalisht në sallën e gjyqit dhe të marrë pjesë në shqyrtimin kryesor, ashtu siç kishte ndodhur në seancat e mëparshme. Prokurori ka theksuar se, duke pasur parasysh faktin se Mihaillova nuk i ka respektuar masat për sigurimin e pranisë dhe është larguar qëllimisht dhe me vetëdije, ajo vetë ka vendosur që procedura të zhvillohet pa praninë e saj.

Pas qëndrimit të paraqitur nga prokurori, gjykata ka marrë vendim për ta refuzuar si të pabazë kërkesën e Iva Mihaillovës.

Sa i përket intervistës së saj për televizionin kombëtar bullgar, sikurse edhe në podkast, gazetari nuk e pyeti dhe as ajo nuk tregoi se si është larguar nga Maqedonia dhe ka hyrë në Bullgari, duke pasur parasysh se në kuadër të procesit gjyqësor i ishin marrë të dy pasaportat – ajo maqedonase dhe ajo bullgare – dhe kishte detyrim të paraqitej në gjykatë.

Fokusi i intervistës për Televizionin Kombëtar Bullgar ishte kryesisht te lëndimet e saj, trajtimi mjekësor dhe pretendimet se ishte diskriminuar në Maqedoni për shkak se ishte deklaruar si bullgare, si dhe te pritshmëritë e saj nga procesi gjyqësor që po zhvillohet kundër saj për aksidentin.

Duke përshkruar gjendjen e saj shëndetësore pas kthimit në Bullgari para tre-katër javësh, Mihailova tha se tashmë ka filluar rehabilitimin, por se ende nuk dihet se sa do të zgjasë i gjithë procesi.

Sipas pretendimeve të saj, periudha njëvjeçare gjatë së cilës nuk ka marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në Koçan ka lënë pasoja të përhershme.

“Fatkeqësisht, kam pasoja të përhershme që më pengojnë në përditshmëri dhe aktualisht, së bashku me mjekët këtu, po përpiqemi t’i trajtojmë. Shkaku është pikërisht mungesa e rehabilitimit, të cilin për muaj të tërë ma refuzonin në Koçan”, tha Mihailova.

Ajo shtoi se mjekët e kanë paralajmëruar se dëmtimet në shtyllën kurrizore dhe mpirja e gjymtyrëve mund të mbeten të përhershme edhe pas ndërhyrjeve të mundshme kirurgjikale, për çka nuk përjashtohet mundësia që trajtimin ta vazhdojë në Izrael.

Lidhur me qëndrimin në Koçan para largimit të saj, Mihaillova pretendon se ishte vazhdimisht nën mbikëqyrje, megjithëse ndaj saj ishte caktuar vetëm masa e paraqitjes së herëpashershme në gjykatë dhe ndalimi për t’u larguar nga qyteti, e jo arrest shtëpiak apo paraburgim.

“Tre-katër muajt e fundit më kanë ndjekur vazhdimisht, çdo ditë. Policia para shtëpisë sime, bastisje në shtëpi, dronë. Kur dilja jashtë, gjithmonë kishte dikë që më ndiqte – qoftë nga policia apo nga shërbimet, nuk ka rëndësi. Hynin ilegalisht në shtëpinë time. Kemi paraqitur ankesë në kontrollin e brendshëm për të kuptuar pse e bëjnë këtë, por nuk kemi marrë përgjigje as pas tre muajsh”, tha ajo.

Në pyetjen se kur kishte filluar kjo sjellje e organeve ndaj saj, ajo u përgjigj prerazi: “Kur u deklarova si bullgare, atëherë filloi i gjithë keqtrajtimi nga ana e tyre”.

Përveç këtyre presioneve, Mihaillova thotë se pas largimit është përballur edhe me shumë mesazhe negative në rrjetet sociale, për të cilat fajësoi mediat maqedonase dhe funksionarët e lartë, të cilët, sipas saj, kanë krijuar një atmosferë negative në opinion.
Në seancën e sotme në gjykatën e Koçanit është paraparë shqyrtimi i dy ekspertizave të përgatitura nga mbrojtja e Mihaillovës.

Ajo pretendon se konstatimet e këtyre ekspertizave e konfirmojnë pafajësinë e saj lidhur me aksidentin e trafikut për të cilin akuzohet.

“Të dyja ekspertizat tregojnë pafajësinë time dhe evidentojnë gjurmët e automjetit tjetër në korsinë time të qarkullimit. Gjithçka shihet shumë qartë dhe shpresoj që në fund e vërteta të triumfojë”, tha Mihailova.

Ndryshe, BNT po e ndjek me vëmendje të madhe procesin gjyqësor. Në ueb-faqen e televizionit, në formatin e ashtuquajtur të lajmeve të njëpasnjëshme, po raportohen zhvillimet nga seanca e sotme në Koçan.

Seanca në Gjykatën Themelore në Koçan, siç raportoi televizioni, filloi me dëgjimin e ekspertit Vinko Gaica, i cili deri më tani ka përgatitur mbi 6.000 ekspertiza të aksidenteve të trafikut në Maqedoni. Bazuar në të gjitha provat e mbledhura, albumin fotografik dhe procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, Gaica është kategorik se aksidenti ka ndodhur pasi automjeti “Renault” ka kaluar në korsinë e veturës “Volkswagen”, të cilën e drejtonte Mihaillova.

Sipas analizës së tij, në vendin e përplasjes janë konstatuar mbetje të xhamit të thyer dhe lëngje, të cilat janë evidentuar, por nuk janë përshkruar në skicën bashkëngjitur procesverbalit.

“Metodologjia me të cilën e kam nxjerrë këtë përfundim është pjesë e të gjitha rregullave të analizës në BE dhe SHBA dhe përputhet plotësisht me modelet kompjuterike. Ky është një përplasje tipike ballore-ekscentrike, ku automjeti më i rëndë ‘Renault’ është rrotulluar për më shumë se 50 gradë, ndërsa vetura më e lehtë e Ivës është devijuar vetëm për 8 gradë dhe ka ndaluar në anën e djathtë të korsisë së saj”, shpjegoi eksperti Gaica para gjykatës.

Në fillim të seancës u bë e ditur se për Mihaillovën është lëshuar urdhër për paraburgim prej 30 ditësh, pasi ajo ishte larguar nga vendi. Gjykata më pas e ndërpreu seancën për t’u njohur me kërkesën e saj për pjesëmarrje online, e dorëzuar në orën 11:45, ndërsa prokurori kërkoi ekspertizë shtesë mjekësore për gjendjen e saj, duke përdorur edhe publikimet e saj në rrjetet sociale. Pas qëndrimit të prokurorit, gjykata mori vendim për ta refuzuar si të pabazë kërkesën e Mihaillovës.

Avokati i Mihaillovës, Nikolaj Dimitrov, bëri të ditur se ajo është shtruar sërish në spital në Bullgari, pas qëndrimit 12-ditor në “Pirogov” dhe rehabilitimit, për shkak të komplikimeve shtesë me shtyllën kurrizore, të cilat kërkojnë konsultime me specialistë para çdo ndërhyrjeje kirurgjikale.

Për rikujtim, mediat bullgare më 12 tetor raportuan se Mihaillova ndodhet në Bullgari, ndonëse paraprakisht i ishin marrë të dy pasaportat, si pjesë e masave parandaluese që duhej të pengonin largimin e saj nga Maqedonia.

Në një deklaratë për televizionin bullgar BTV, ajo tha se kishte vendosur të largohej drejt Bullgarisë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, si dhe se këtë e kishte bërë me dokumentet e saj të identifikimit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, nuk është evidentuar dalje e ligjshme e Mihailovës nga vendi dhe as hyrje e ligjshme në Bullgari. E njëjta vlen edhe për avokatin Nikolaj Dimitrov, i cili pretendonte se e kishte shoqëruar atë.

Për momentin nuk dihet se në çfarë mënyre Mihaillova e ka kaluar kufirin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, përkatësisht si është larguar nga vendi dhe ka hyrë në Bullgari. Përgjigjen pritet ta japë hetimi që po zhvillon Ministria e Punëve të Brendshme.

Pasi u konstatua se ajo nuk ishte paraqitur në polici dhe nuk ishte gjetur në adresën e banimit, Gjykata Themelore në Koçan, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit, i caktoi Mihaillovës masën e paraburgimit, pas së cilës u lëshua fletarrest ndërkombëtar për të.

ArratisjeBullgariaGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorMarrëveshja me Bullgarinë