Me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Koçan, është marrë vendim që Iva Mihaillova, e akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, të gjykohet në mungesë, pasi ajo nuk është e arritshme për organet shtetërore, transmeton Portalb.mk.
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 9 nëntor 2026, në orën 09:00.
Kujtojmë se ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, deklaroi se Bullgaria nuk do ta ekstradojë 23-vjeçaren Iva Mihaillova nga Koçani, për të cilën autoritetet maqedonase kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Në një intervistë, duke folur për rastin, Demerxhiev tha se Bullgaria nuk do ta dorëzojë Mihajllovën te “autoritetet serbe”, në vend të atyre maqedonase, ndonëse bëhet fjalë për një person të kërkuar nga institucionet e Maqedonisë.
Pasi gazetari e pyeti nëse përmendja e Serbisë ishte gabim i rastësishëm apo veprim i qëllimshëm, ministri bullgar pranoi se kishte gabuar, por vlerësoi se nuk bëhej fjalë për “një gabim aq të madh”.
Nga ana tjetër, ambasadori bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov, deklaroi se do të ishte jashtëzakonisht i befasuar nëse autoritetet maqedonase nuk do të kishin ditur për largimin e Iva Mihaillovës nga Maqedonia, megjithëse theksoi se nuk ka informacione mbi bazën e të cilave mund të pretendonte se largimi i saj nga shteti ishte dakorduar paraprakisht.
Në një intervistë për televizionin bullgar BTV, Radukov ngriti dyshime lidhur me mënyrën se si Mihaillova arriti të largohej nga Maqedonia, pavarësisht kufizimeve gjyqësore, dokumenteve të udhëtimit të sekuestruara dhe masave policore që, sipas tij, ishin zbatuar.
“Nuk mund ta pohoj këtë, por do të isha jashtëzakonisht i befasuar nëse nuk do të ishte koordinuar“, u përgjigj ambasadori në pyetjen nëse ishte e mundur që Mihaillova të ishte larguar pa dijeninë e autoriteteve maqedonase.
Radukov kujtoi se pasaportat e saj ndërkombëtare ishin sekuestruar me vendim gjyqësor që në tetor të vitit të kaluar, se ajo nuk kishte letërnjoftim maqedonas dhe se ishte përfshirë në listën e personave të cilëve u ndalohej largimi nga shteti.
Ai pretendoi gjithashtu se para shtëpisë së saj kishte rregullisht patrulla policore, ndërsa gjatë daljeve të saj e ndiqnin zyrtarë policorë me rroba civile. Sipas tij, Mihaillova kishte raportuar edhe për dronë mbi shtëpinë e saj gjatë orëve të natës.
“Dhe papritur e gjithë kjo, në njëfarë mënyre, zhduket dhe ajo e kalon kufirin? Ju lutem”, deklaroi Radukov.
Megjithatë, ambasadori pranoi se shteti bullgar nuk ishte informuar për qëllimin e Mihaillovës për t’u larguar. Siç tha ai, si vetë ai, ashtu edhe Ambasada bullgare, për largimin e saj kishin mësuar nga mediat.
“E mësova nga ju. Ju na informuat në emisionin e BTV-së. Kjo nuk ishte mënyra më e përshtatshme dhe më e mirë për të mësuar për diçka kaq të rëndësishme”, tha Radukov.
Iva Mihaillova akuzohet në lidhje me një aksident trafiku, në të cilin humbi jetën 33-vjeçari Besim Durmishi.
Rasti shkaktoi reagime në opinion pasi u publikua lajmi se ajo ndodhet në Bullgari, ndërsa autoritetet maqedonase janë në kërkim të saj.
- LEXO: Pasi ministri bullgar tha se nuk do ta ekstradojnë Iva Mihaillovën, Shkupi thirri përfaqësuesin e Ambasadës bullgare
- LEXO: Bullgaria nuk e kërkon Iva Mihaillovën dhe nuk do ta ekstradojë në Maqedoni
- LEXO: Reagime dhe kërkim përgjegjësie për rastin e Iva Mihaillovës, eurodeputeti bullgar: Shkupi nuk ka arsye të ankohet në BE
- LEXO: Iva Mihailova ka qenë në listën e ndalimit të MPB-së, nuk është regjistruar largimi i saj nga Maqedonia