Rreth gjysma e aktgjykimeve të shkallës së parë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar të monitoruara në Maqedoninë e Veriut rrëzohen dhe procedurat gjyqësore të shkallës së parë zgjasin mesatarisht rreth dy vjet. Ky është vlerësimi i raportit të ri të OSBE-së mbi monitorimin e gjyqeve në Ballkanin Perëndimor, që mbulon periudhën nga qershori 2024 deri në shtator 2026, raporton Portalb.mk.
“Numri i aktgjykimeve të shkallës së parë u rrit gjithashtu nga 23 në 32 gjatë kësaj periudhe raportuese, prej të cilave 12 u shpallën në gjysmën e dytë të vitit 2025, pas fillimit të nismës për rritjen e efikasitetit. Megjithatë, përqindja e rigjykimeve në rastet e nivelit të lartë mbeti e njëjtë si në periudhën e mëparshme, ku rreth gjysma e aktgjykimeve të shkallës së parë u anuluan. Për këtë arsye, kohëzgjatja mesatare e gjykimeve të shkallës së parë nuk ndryshoi ndjeshëm, duke mbetur rreth dy vjet, njësoj si në periudhën e mëparshme raportuese”, thuhet në raport.
Raporti thekson se Gjykata e Apelit në Shkup anuloi aktgjykimet e shkallës së parë në gjashtë nga 11 rastet e monitoruara të korrupsionit të nivelit të lartë që arritën për herë të parë në apel. Kjo është një nga gjetjet e raportit të Misionit të OSBE-së në Shkup për funksionimin e gjyqësorit në nivel rajonal dhe lokal.
Raporti evidenton se një numër i konsiderueshëm i aktgjykimeve në këto raste nuk qëndruan pas shqyrtimit në apel.
Përveç anulimit të aktgjykimeve, raporti evidenton edhe kthimin e lëndëve për rigjykim. Nga 18 rastet e nivelit të lartë për të cilat u morën vendime në apel gjatë periudhës raportuese, vetëm në tri raste gjykata hapi shqyrtim kryesor. Të tria rastet ishin kthyer më parë për rigjykim.
“Gjatë kësaj periudhe raportuese, Gjykata e Apelit Shkup anuloi aktgjykimet e shkallës së parë në gjashtë nga 11 rastet e monitoruara të nivelit të lartë që arritën për herë të parë në fazën e apelit gjatë periudhës raportuese, çka do të thotë se përqindja e rigjykimeve mbeti e pandryshuar. Vetëm në tri nga 18 rastet e monitoruara të nivelit të lartë, për të cilat u morën vendime në apel gjatë periudhës raportuese, gjykata hapi shqyrtim kryesor. Megjithatë, secili prej këtyre rasteve ishte kthyer tashmë për rigjykim dhe gjykata e apelit kishte detyrim ligjor të vendoste mbi themelin e çështjes”, thuhet në raport.
Megjithatë, anulimi i një aktgjykimi nuk nënkupton automatikisht se të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, por se vendimi është anuluar dhe çështja mund të trajtohet sërish në procedurë gjyqësore.
Raporti evidenton gjithashtu pengesa gjatë zhvillimit të seancave, përfshirë vështirësitë për të siguruar praninë e dëshmitarëve të prokurorisë. Në disa raste, dëshmitarët nuk mund të gjendeshin ose thirrjet nuk u dorëzoheshin me sukses, duke penguar marrjen e dëshmive në gjykatë.
Një tjetër problem është kohëzgjatja e procedurave. Sipas raportit, gjykimet e shkallës së parë zgjatën mesatarisht rreth dy vjet. Ndërkaq, në shtatë raste ku gjykimi kishte filluar pas nisjes së nismës pilot në janar 2025 dhe kishte përfunduar me aktgjykim deri në shtator 2026, kohëzgjatja mesatare ishte shtatë muaj.
Nga ana tjetër, në shtatë lëndë që kanë filluar pas futjes së nismës pilot për menaxhim më të mirë të gjykimeve në janar 2025, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë mesatarisht brenda shtatë muajve. OSBE-ja e vlerëson këtë si tregues inkurajues se organizimi më i mirë mund të kontribuojë në përfundimin më të shpejtë të procedurave.
Seanca që shtyhen shpesh dhe nuk kontribuojnë në përparim
Problem mbeten edhe seancat që nuk kontribuojnë në përparimin e procedurës. Pjesëmarrja e tyre në numrin e përgjithshëm të seancave është ulur nga 33 në 28 përqind, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2026 ka arritur në 21 përqind.
Shkaku më i shpeshtë i shtyrjes ka qenë mungesa e të akuzuarve, e cila ka përbërë 31 për qind të seancave joproduktive, krahasuar me 41 për qind në periudhën paraprake.
“Shumica e seancave u shtynë për shkak të mungesave të të pandehurve për arsye shëndetësore, pritjes së vendimeve të apelit mbi çështje procedurale dhe kufizimeve në caktimin e seancave, që lidheshin me angazhimin e gjyqtarëve porotë në procedura të tjera komplekse”, thuhet në raport.
Në të njëjtën kohë, problemet procedurale janë bërë shkaku i dytë më i shpeshtë i shtyrjes, me pjesëmarrje prej 22 përqind, krahasuar me 11 përqind më parë. Ndër arsyet përfshihen dosjet gjyqësore të paarritshme për shkak të shqyrtimit të çështjeve nga instancat më të larta gjyqësore, ekspertizat e paplota, ndryshimet dhe plotësimet e aktakuzave, dorëzimi me vonesë i provave dhe përjashtimi i gjyqtarëve.
Sipas OSBE-së, këto pengesa tregojnë se efikasiteti i gjykimeve nuk varet vetëm nga puna e trupave gjykues, por edhe nga funksionimi i të gjithë sistemit të drejtësisë.
Sfidat tjera në sistemin gjyqësor
Sfidat e tjera përfshijnë mungesën e personelit gjyqësor, mbështetjen e kufizuar administrative dhe përdorimin e pamjaftueshëm të të dhënave në dispozicion për të ndjekur efikasitetin e procedurave gjyqësore.
“Mungesa e personelit dhe mbështetja e kufizuar administrative, duke përfshirë numrin e ulët të gjyqtarëve porotë, numrin e pamjaftueshëm të procesmbajtësve gjyqësorë, ngarkesën e lartë të punës dhe kufizimet në burime, vazhdojnë të ndikojnë në menaxhimin dhe kohëzgjatjen e procedurave. Ekziston gjithashtu nevoja për të forcuar qasjet institucionale ndaj vlerësimit të nevojave, përdorimit strategjik të raporteve vjetore dhe të dhënave, si dhe ndjekjes së informacionit që lidhet me rastet,duke adresuar njëkohësisht mungesat e burimeve në përputhje me angazhimet e Agjendës së Reformave”, thuhet në raport.
Raporti vë në pah edhe nevojën për arsyetim më të mirë të aktakuzave dhe vendimeve gjyqësore, si dhe për zhvillimin më efikas të hetimeve financiare dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale.
Reformat nuk po japin rezultate të mjaftueshme
Pavarësisht dobësive të evidentuara, OSBE-ja konstaton se në 72 rastet e monitoruara nuk janë identifikuar mangësi sistemike që cenojnë drejtësinë e përgjithshme të procedurave gjyqësore.
“Ndonëse gjatë periudhës raportuese nuk u identifikuan mangësi sistemike që ndikonin në drejtësinë e përgjithshme të procedurave në 72 rastet e monitoruara të KOK-së, disa aspekte të praktikës gjyqësore dhe prokuroriale vazhdojnë të kërkojnë përmirësime të mëtejshme. Sfidat e mbetura lidhen kryesisht me zbatimin efektiv të nismave në vazhdim për rritjen e efikasitetit, forcimin e mëtejshëm të cilësisë së arsyetimit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin konsistent të masave për kthimin e pasurisë së përfituar nga veprat penale gjatë gjithë procesit të drejtësisë penale, veçanërisht sa i përket gjurmimit efektiv të pasurisë së paligjshme”, thuhet në raport.
Është shënuar përparim në transparencë, menaxhimin e gjykimeve dhe përpjekjet për përmirësimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, këto përmirësime ende nuk zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha rastet dhe institucionet.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Ministria e Financave kishte miratuar mjete për 200 punësime të reja në gjykatat e vendit. Megjithatë, shtatë muaj më vonë, ndryshe nga paralajmërimi i kryeministrit, nuk ka pasur punësime të reja.
Nga ana tjetër, sipas Raportit Vjetor, gjatë vitit 2025, Këshilli Gjyqësor ka pranuar 90 kërkesa të reja për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë, të cilat kanë përfshirë 161 gjyqtarë. Një kërkesë mund t’u referohet disa gjyqtarëve. Për secilën kërkesë është formuar lëndë, për të cilën ka vepruar një komision raportues i përbërë nga tre anëtarë të Këshillit, të zgjedhur me short.