Në Këshillin Gjyqësor të RMV-së janë pranuar 90 kërkesa për përcaktimin e përgjegjësisë së 161 gjyqtarëve

Komisioni parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive sot do të shqyrtojë Raportin e Këshillit Buxhetor Gjyqësor për realizimin e Buxhetit Gjyqësor për vitin 2025 dhe Raportin Vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për të njëjtin vit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Raportit Vjetor, gjatë vitit 2025, Këshilli Gjyqësor ka pranuar 90 kërkesa të reja për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë, të cilat kanë përfshirë 161 gjyqtarë. Një kërkesë mund t’u referohet disa gjyqtarëve. Për secilën kërkesë është formuar lëndë, për të cilën ka vepruar një komision raportues i përbërë nga tre anëtarë të Këshillit, të zgjedhur me short.

Gjatë vitit, Këshilli ka shqyrtuar edhe 425 ankesa, nga të cilat 13 janë vlerësuar si të bazuara, ndërsa të tjerat janë hedhur poshtë si të pabazuara.

Pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me pakënaqësinë ndaj vendimeve të marra gjyqësore, përkatësisht me pretendimet e paraqitura në ankesa. Një pjesë e tyre kanë të bëjnë me zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe mosrespektimin e afateve ligjore për ndërmarrjen e veprimeve procedurale.

Të dhënat nga raportet vjetore për punën e gjykatave tregojnë se gjykatat në vend e kanë nisur vitin 2025 me 134.729 lëndë të pazgjidhura. Gjatë vitit kanë pranuar 540.122 lëndë të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të lëndëve në punë në 674.851.

Nga ky numër, janë zgjidhur 540.241 lëndë, ndërsa në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 134.610 lëndë. Në raporte janë evidentuar edhe 217 lëndë të regjistruara gabimisht.

Këshilli Gjyqësor RMVParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut