Dyqind punësime të paralajmëruara, zero të realizuara në gjyqësorin e RMV-së

Kur në mars të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Ministria e Financave kishte miratuar mjete për 200 punësime të reja në gjykatat e vendit, kjo dukej si hapi i parë drejt zgjidhjes përfundimtare të problemit alarmant të mungesës së kuadrit gjyqësor në vend, raporton Prizma, transmeton Portalb.mk.

“Diçka që përfaqëson vërtet një hap shumë të madh”, deklaronte atëherë Mickoski.

Shtatë muaj më vonë, ndryshe nga paralajmërimi i kryeministrit, nuk ka pasur punësime të reja.

Që nga marsi e deri më tani nuk është realizuar asnjë punësim, konfirmuan për BIRN nga Këshilli Gjyqësor.

“Nga ana e Ministrisë së Financave nuk janë marrë pëlqime individuale për asnjë nga punësimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor.

Ndërkohë, gjatë verës u bë një rishikim i buxhetit, ndërsa këtë muaj para deputetëve u paraqit edhe rishikimi i dytë. Qeveria i propozon Kuvendit një tjetër rishpërndarje të buxhetit të shtetit, por zëri për paga dhe kompensime mbetet i njëjtë me atë të rishikimit të buxhetit të korrikut.

Tri plane dhe tri mendime negative

Në konferencën informuese për gazetarët në shtator, kryetarja e Gjykatës Penale në Shkup, Daniela Dimovska, bëri të ditur se nga 628 vende të parapara të punës, në gjykatë janë plotësuar vetëm 208, që do të thotë se shkalla e plotësimit është pak mbi 30 përqind. Gjatë pesë viteve të fundit, numri i të punësuarve në këtë gjykatë është zvogëluar për 131 nëpunës, ndërsa deri në fund të vitit pritet të pensionohen edhe tetë të tjerë.

Kjo gjendje pasqyron mungesën e kuadrit në të gjithë sistemin gjyqësor.

Në Raportin e Këshillit Gjyqësor-Buxhetor për vitin 2025 thuhet se vitin e kaluar ishin paraparë 4.751 vende pune për shërbimin gjyqësor, por në to punonin gjithsej 1.803 persona. Me fjalë të tjera, ishin plotësuar vetëm rreth 40 për qind e vendeve të punës.

Të dhënat nga raporti tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm te 200 punësimet e parealizuara, por lidhet me një sfidë më të gjerë: gjykatat kanë dukshëm më pak kuadër sesa është paraparë, ndërsa planet për punësime të reja nuk zbatohen.

Gjatë vitit të kaluar, Këshilli Gjyqësor-Buxhetor dorëzoi tri herë plan për punësime në gjykata, por në të tria rastet mori mendim negativ nga Ministria e Financave.

“Gjatë vitit 2025 nuk është realizuar asnjë punësim apo avancim në pushtetin gjyqësor”, thuhet në raport. Aty shtohet se “në këtë mënyrë, gjendja me burimet njerëzore në pushtetin gjyqësor gjatë vitit 2025 është përkeqësuar ndjeshëm, duke pasur parasysh largimin e vazhdueshëm të kuadrit, qoftë për shkak të pensionimit, largimit me marrëveshje apo arsyeve të tjera”.

Pothuajse 80 përqind e mjeteve në gjyqësor shpenzohen për paga.

Në Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit për vitin 2025 thuhet se mungesa e kuadrit në sistemin e drejtësisë është shqetësuese dhe se kjo “ndikon në cilësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”.

Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKëshilli Gjyqësor RMVPapunësi