Banorët e Lagjes 146 do të presin edhe një vit për asfaltimin e rrugës (Video)

Asfaltimi i pjesës së mbetur të rrugës në Lagjen 146 në Tetovë nuk do të bëhet këtë vit. Problemi me rrugët e dëmtuara në këtë lagje u ngrit edhe nga Më Mirë për Tetovën, ndërsa kryetari i komunës tha se asfaltimi është futur në plan për vitin e ardhshëm, shkruan Portalb.mk.

Rruga në Lagjen 146 u asfaltua pjesërisht në shkurt të këtij viti, por një pjesë e saj mbeti e paasfaltuar, me gropa që vështirësojnë qarkullimin.

Banorët më herët u ankuan për dëmet që u shkaktohen automjeteve dhe kërkuan që asfaltimi të përfundojë në të gjithë rrugën.

Problemet infrastrukturore në këtë lagje i ngriti edhe këshilltari komunal i Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi, ai kërkoi që të njëjtat të rregullohen, madje i propozoi të futen si pikë e rendit të ditës në seancën e 14 tetorit, por e njëjta nuk u pranua.

“Problemi në rrugën 146 është se është e mbushur me gropa, ka edhe një mini-deponi, por për çudi, si kryesuesi i këshillit, ashtu edhe disa këshilltarë që janë banorë të asaj lagjeje, votuan kundër”, tha Arifi.

I pyetur për këtë problem nga Portalb.mk, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se ndërsa ndërmarrja përkatëse po vazhdon procedurën për sanimin e gropave të hapura gjatë instalimit të linjës së ujit.

“Sa i përket vazhdimit të asfaltimit, ne veçmë e kemi futur në programin për asfaltimin e rrugëve në vitin 2027”, tha Kasami.

Ai nuk konkretizoi afat se kur gjatë vitit të ardhshëm pritet të kryhet asfaltimi.

Problemet në këtë lagje nuk lidhen vetëm me rrugët. Gjatë reshjeve, banorët janë përballur edhe me rrëshqitje të dheut, ndërsa problem kanë pasur edhe me ujin e pijshëm.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësVideo Lajme