Në Maqedoninë e Veriut sot është festë shtetërore, 23 Tetori – Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase, datë e cila shënohet nga vitit 2007. Kjo ditë është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Ndër themeluesit e saj ishte edhe Dame Gruev. Kjo datë shënohet si festë shtetërore dhe lidhet me historinë e lëvizjes revolucionare maqedonase dhe përpjekjet për liri e autonomi.
Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova theksoi se nuk mund ta kremtojmë shtetësinë, ndërsa harrojmë brezat që vendosën themelet e saj.
“Respekti ndaj paraardhësve ka kuptim vetëm kur idealet e tyre të larta i shndërrojmë në drejtësi, solidaritet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët. Trashëgimia historike nuk është vetëm arsye për krenari, por edhe detyrim për ta përparuar shtetin dhe për të ndërtuar një shoqëri në të cilën e drejta, drejtësia dhe morali do të jenë realitet”, thotë Siljanovska – Davkova në urim.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në urim theksoi se kjo datë e rëndësishme na kujton qëndrueshmërinë, guximin dhe përpjekjet e brezave para nesh për liri, dinjitet dhe shtetësi të pavarur.
“Lufta dhe sakrifica e tyre përbëjnë një pjesë të rëndësishme të themelit historik mbi të cilin sot ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Shënimi i 23 Tetorit është një mundësi për të kujtuar me respekt të kaluarën, por edhe për të riafirmuar përgjegjësinë tonë të përbashkët për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të qëndrueshme dhe të begatë, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, unitetin dhe vlerat evropiane. Vetëm të bashkuar rreth interesave të përbashkëta dhe duke respektuar dallimet, mund të ndërtojmë një shtet ku çdo qytetar të ndihet i barabartë, i sigurt dhe i respektuar”, deklaroi Gashi.
Çmimi Shtetëror “23 Tetori” sivjet i ndahet aktorit Gjorgji Jolevski për arritje në fushën e kulturës dhe artit, ndërsa për arritje në sferën e shkencës, çmimi u ndahet historianit prof. dr. Stojko Stojkov dhe arkeologut prof. dr. Viktor Lilçiq Adams.