Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari ka takuar Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kanë diskutuar për prioritetet kryesore të reformave në drejtësi dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, njofton Portalb.mk.
Siç informuan nga Ministria e Drejtësisë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një mbështetje të fuqishme për agjendën reformuese të Ministrisë, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekspertiza amerikane dhe mbështetja institucionale, siç thuhet në kumtesë, kanë rëndësi të veçantë për zbatimin e reformave thelbësore që do të sigurojnë institucione më efikase, siguri më të madhe juridike dhe rezultate konkrete.
Theks i veçantë gjatë takimit i është kushtuar reformës së legjislacionit penal. Ministri Shasivari ka theksuar nevojën për shfrytëzimin e përvojës dhe ekspertizës amerikane në këtë proces, me qëllim hartimin e zgjidhjeve ligjore bashkëkohore dhe efikase, të cilat do të kontribuojnë në parandalimin dhe ndëshkimin më të suksesshëm të korrupsionit dhe krimit.
Në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe digjitalizimi i sistemit të drejtësisë, agjenda legjislative dhe forcimi i kapaciteteve institucionale, si segmente kyçe të procesit reformues.
Ministri Shasivari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, veçanërisht për kontributin në forcimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
“Rezultat konkret i këtij partneriteti është fillimi i realizimit të projektit për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Drogat, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete, asistencës së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim sigurimin e rezultateve të qëndrueshme dhe të matshme nga reformat”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.
Për Ministrinë e Drejtësisë, siç potencohet në kumtesë, partneriteti strategjik me SHBA-në është më shumë sesa bashkëpunim institucional.
“Ai përbën një mbështetje të rëndësishme për një agjendë reformuese, që ka si qëllim përfundimtar ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional, të pavarur dhe efikas, ku ligjet zbatohen me përpikëri, institucionet marrin përgjegjësitë e tyre dhe qytetarët kanë besim te drejtësia”, kumtuan nga Ministria e Drejtësisë.