MASH-i këtë vit me model të ri të bursave për studentët

Studentët kanë afat deri më 20 nëntor që të aplikojnë për bursë studentore për vitin akademik 2026/2027. Aplikimi në konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) bëhet në mënyrë elektronike, përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, transmeton Portalb.mk.

Numri i përgjithshëm i bursave mbetet i pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar (3.000), por këtë vit MASH ka prezantuar një model të ri të bursave, me kategori të reja dhe shpërndarje të ndryshme të mjeteve financiare.

“Ndryshimi nuk qëndron në uljen e mbështetjes, por në orientimin më të mirë të saj dhe në njohjen më të gjerë të nevojave dhe potencialeve të studentëve. Po bëhet një përmirësim i rëndësishëm i modelit të deritanishëm të bursave studentore. Modeli i ri sjell një qasje tjetër në shpërndarjen e mbështetjes shtetërore – një qasje që njëkohësisht njeh cenueshmërinë sociale, vlerëson suksesin akademik dhe nxit arsimimin e kuadrove në fusha me rëndësi strategjike për shtetin”, njoftoi MASH.

Në kategorinë e 1.200 bursave për mbështetje sociale, për herë të parë parashikohen bursa të veçanta për studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla, me nga 50 bursa për secilën kategori.

“Me këtë, Ministria ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt arsimit më gjithëpërfshirës dhe krijimit të mundësive të barabarta për studentët, duke njohur nevojat e tyre specifike dhe duke mbështetur të drejtën e tyre për arsimim dhe zhvillim akademik”, thuhet në konkursin e publikuar nga MASH, duke theksuar se në këtë mënyrë vendoset baza për një sistem më modern dhe më të orientuar të bursave studentore.

Gjithashtu, prezantohet një kategori e re me 1.050 bursa strategjike, të dedikuara për studentët që studiojnë në fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e ardhshëm të shtetit.

Bëhet fjalë për programet studimore në këto fusha:

  • Matematikë
  • Fizikë
  • Kimi
  • Bujqësi
  • Pylltari
  • Biologji për mësimdhënie
  • Xehetari

Përveç kësaj, parashikohen edhe 750 bursa për studentët që arrijnë sukses të lartë akademik, përkatësisht që kanë notë mesatare së paku 8,50 dhe përmbushin në vazhdimësi obligimet akademike.

Në këtë mënyrë, thekson MASH, Ministria vlerëson më tej dijen, përkushtimin dhe punën e studentëve që arrijnë rezultate të veçanta gjatë studimeve. Shuma e bursave dhe kohëzgjatja e pagesës

  • Bursat strategjike: 18.000 denarë në muaj.
  • Bursat sociale: 6.050 denarë në muaj.
  • Bursat për sukses të lartë akademik: 6.050 denarë në muaj.

Bursat do të paguhen gjatë nëntë muajve të vitit akademik.

Përveç këtij konkursi, është në vijim edhe aplikimi në dy konkurse të tjera për vitin akademik 2026/2027: për ndarjen e 15 bursave për studentët e regjistruar në vitin e parë në programet studimore të gjuhës maqedonase, si dhe për rimbursimin e mjeteve për blerjen e një instrumenti muzikor.

Bursa shkollore - universitareMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)StudentëTë rinj - Rini - Rinia