Sot ka vijuar seanca gjyqësore për tragjedinë e Koçanit. Ekspertja Mariana Lazarevska theksoi se punimet ndërtimore në objekt janë kryer në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacion projektues, pa mbikëqyrje profesionale dhe pa leje nga institucionet kompetente, transmeton Portalb.mk.
Sipas saj, ndryshimet nuk mund të trajtohen si mbindërtim, zgjerim apo përshtatje, por përbëjnë rikonstruksion, për të cilin është e detyrueshme të ndiqet procedurë e plotë ligjore, gjë që në këtë rast nuk është bërë.
Lazarevska theksoi se ndryshimi i destinimit të objektit nga magazinë në objekt hotelierik e ka rritur ndjeshëm ngarkesën mbi konstruksionin dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë.
Sipas saj, një objekt me një sipërfaqe të tillë nuk mund të trajtohet si kabare, pasi nuk e plotëson kushtin e përcaktuar për këtë kategori. Për më tepër, mënyra e shfrytëzimit të hapësirës, organizimi, hapësira për mysafirët dhe pajisjet e brendshme tregojnë se objekti, sipas karakteristikave të tij, i përket kategorisë diskotekë-klub, dhe jo kabare.
Gjatë pauzës së gjykimit, Aleksandar Naunov, në emër të familjeve të të rinjve të vrarë, theksoi se pas 17 muajsh luftë për të vërtetën, ekspertiza ndërtimore dhe dëshmitë e ekspertëve po i zbulojnë edhe më qartë lëshimet dhe mosveprimet e shumta ndër vite.
Gjykimin e drejton gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.
Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.