Sot në Gjykatën Themelore Penale përfundoi seanca përgatitore në rastin ndaj 13 zyrtarëve dhe udhëheqësve policorë nga NJPB Koçani dhe SPB Shtip, të cilët akuzohen për rrezikim të sigurisë së përgjithshme në lidhje me zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls”. Gjykata vendosi që çështja të kalojë në shqyrtim kryesor, i cili do të jetë i hapur për publikun, transmeton Portalb.mk.
Seanca u shoqërua me debate procedurale, përfshirë edhe kërkesën për përjashtimin e një gjyqtareje porote, Lidia Petrovska, për shkak të lidhjes familjare me bashkëshorten e njërit prej të akuzuarve. Gjykata e refuzoi kërkesën, duke vlerësuar se nuk ekziston komunikim intensiv që do të ndikonte në paanshmëri.
Mbrojtja e disa të akuzuarve kontestoi tërësisht aktakuzën dhe ngriti çështje lidhur me procedura paralele që po zhvillohen, duke e cilësuar këtë si pengesë për procesin gjyqësor. Po ashtu, u hap debat edhe për mënyrën e administrimit të provave, ku një pjesë e avokatëve kërkuan që të gjitha provat e Prokurorisë të shqyrtohen në mënyrë të rregullt, ndërsa të tjerë kundërshtuan pjesërisht pranimin e tyre.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në detyrë në periudhën 14–16 mars, por njëkohësisht të angazhuar edhe në kabarenë “Puls”, ku natën kritike ndodhi zjarri. Edhe pse ishin të pranishëm në momentin e shpërthimit të zjarrit, ata nuk e ndërprenë aktivitetin dhe nuk penguan përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat dyshohet se shkaktuan tragjedinë.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen 13 zyrtarë policorë, përfshirë zëvendës-shefin e policisë, inspektorë dhe udhëheqës sektorësh nga Koçani dhe Shtipi. Prokuroria i ngarkon ata me përgjegjësi për moszbatim të duhur të procedurave operative dhe moskontroll të plotë të rrezikut gjatë planifikimit dhe realizimit të aksionit policor.
Paralelisht, ndaj disa zyrtarëve policorë po zhvillohen edhe procedura të tjera lidhur me dhënien e licencave dhe kontrollet administrative për kabarenë, ku dyshohet se nuk janë respektuar standardet e kërkuara të sigurisë dhe kushteve ligjore.
Rasti lidhet me zjarrin tragjik në “Puls”, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan.