Gjatë 24 orëve të fundit, 11 denoncime për dhunë në familje në territorin e RMV-së

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e gjithë vendit janë regjistruar 11 denoncime për dhunë në familje. Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informojnë se në disa prej rasteve, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria persona të dyshuar për ushtrim të dhunës, ndërsa për denoncimet e tjera po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjeve, transmeton Portalb.mk.

Në SPB Prilep, dje një grua ka denoncuar se për një periudhë të gjatë kohore ishte përndjekur dhe shqetësuar nga ish-partneri i saj, i cili shkonte në vendin e saj të punës, e ndiqte deri në shtëpi dhe i dërgonte mesazhe me përmbajtje fyese.

Në një fshat të Komunës së Novo Sellës, zyrtarët policorë të SPB Strumicë kanë privuar nga liria një 62-vjeçar, pas denoncimit se ai ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj bashkëshortes së tij 57-vjeçare në shtëpinë familjare.

Në Stacionin Policor të Strumicës, një 65-vjeçar ka denoncuar sjellje agresive nga ana e djalit të tij 33-vjeçar, i cili më pas është dërguar në një institucion shëndetësor për trajtim.

Natën e 7 nëntorit 2026, në një fshat të rajonit të Strumicës, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 38-vjeçar, pas denoncimit se ai fizikisht kishte sulmuar bashkëshorten e tij 33-vjeçare, pas së cilës e kishte dëbuar atë dhe fëmijët e tyre të mitur nga shtëpia familjare.

Në Veles, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar, pas denoncimit se kishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar ish-bashkëshorten e tij 45-vjeçare.

Në Zletovë, zyrtarët policorë të SPB Probishtip kanë privuar nga liria një 49-vjeçar, pas denoncimit të partneres së tij 37-vjeçare se ai e kishte sulmuar fizikisht.

Në Gostivar, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 42-vjeçar, pas denoncimit të bashkëshortes së tij 38-vjeçare për veprën penale „lëndim trupor“.

Në SPB Ohër, një grua 41-vjeçare ka denoncuar se bashkëshorti i saj i kishte drejtuar fyerje dhe kërcënime përmes telefonit, ndërsa ajo ndodhej në vendin e punës.

Në rajonin e Çairit në Shkup, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 51-vjeçar, pas denoncimit se ai kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 47-vjeçare.

Në rajonin e Gjorçe Petrovit në Shkup, një 19-vjeçar ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga ish-partnerja e tij 17-vjeçare, e cila kishte dëmtuar edhe derën hyrëse të shtëpisë, si dhe automjetin e tij të udhëtarëve.

Në rajonin e Qendrës në Shkup, një 19-vjeçare ka denoncuar se babai i saj 49-vjeçar kishte drejtuar kërcënime ndaj saj dhe nënës së saj.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se lidhur me rastet e denoncuara po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre, pas së cilave do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel qytetarëve që të mos heshtin për dhunën në familje dhe ta denoncojnë me kohë çdo rast.

Çdo person që është viktimë e dhunës në familje, por edhe kushdo që ka informacione se një person tjetër është i ekspozuar ndaj dhunës, mund ta denoncojë rastin në stacionin më të afërt policor ose në numrat e telefonit 112 dhe 192.

Dhuna familjareMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)