Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të kufizuar në avancimin e barazisë gjinore. Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz, mbështetja institucionale për viktimat është e pamjaftueshme, ndërsa Ligji për Barazi Gjinore ende nuk është miratuar. Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në politikë dhe përballen me pabarazi në tregun e punës, si dhe me pengesa në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore. Këto janë disa nga problemet që evidenton Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit të vitit 2026 për Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Sipas raportit, pengesat strukturore, mangësitë në zbatimin e ligjeve, financimi i pamjaftueshëm dhe narrativet kundër barazisë gjinore vazhdojnë ta pengojnë progresin në këtë fushë.
“Korniza ligjore dhe institucionale për barazinë gjinore dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore është e paplotë. Zbatimi dhe respektimi i saj duhet të përmirësohen”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se dhuna me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje, dhunën psikologjike, ekonomike dhe kibernetike, si dhe femicidin, vazhdon të jetë shqetësim serioz.
“Korniza ligjore nuk është plotësisht e harmonizuar me Direktivën e BE-së për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, thuhet në raport.
Sipas raportit, shërbimet e specializuara për viktimat janë të pamjaftueshme, ndërsa disa prej tyre nuk janë funksionale ose nuk i përmbushin standardet e kërkuara.
Mungesa e personelit, financimi i pamjaftueshëm dhe problemet e pazgjidhura me licencimin e organizatave që ofrojnë shërbime vazhdojnë të pengojnë mbështetjen e viktimave. Po ashtu, qasja në drejtësi mbetet e kufizuar për shkak të kostove të larta gjyqësore dhe qasjes së pamjaftueshme në ndihmë juridike falas.
KE-ja evidenton mangësi edhe në raportimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dhunës ndaj grave, ndërsa kërkon zbatim më të fuqishëm të Konventës së Stambollit.
Megjithëse ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në janar 2026 forcuan reagimin penal ndaj dhunës në familje dhe përfshinë dispozita për shpërndarjen pa pëlqim të përmbajtjeve seksualisht eksplicite, legjislacioni ende nuk është plotësisht i harmonizuar me atë të BE-së. Mangësi mbeten në trajtimin e përndjekjes kibernetike, martesës së detyruar dhe dhunës psikologjike.
Ligji për Barazi Gjinore ende i pamiratuar
Raporti evidenton se miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Barazi Gjinore 2025–2027, në janar 2026, shënoi progres drejt zbatimit më të strukturuar të strategjisë kombëtare, përmes përgjegjësive më të qarta institucionale dhe treguesve të matshëm.
Megjithatë, Ligji për Barazi Gjinore mbetet në pritje të miratimit, ndërsa korniza kundër diskriminimit ende nuk është harmonizuar me disa direktiva evropiane.
Komisioni Evropian përmend edhe dy iniciativa të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, të cilat kontestojnë kushtetutshmërinë e ndryshimeve të vitit 2025 në ligjet për arsimin, për shkak të heqjes së përmbajtjeve që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues dhe barazinë gjinore.
Ndërkohë, narrativat kundër barazisë gjinore ndikojnë në debatin publik, ndërsa gratë që mbrojnë të drejtat e njeriut vazhdojnë të përballen me gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime, veçanërisht në internet.
Gratë të nënpërfaqësuara në politikë dhe vendimmarrje
Përfaqësimi politik i grave mbetet një tjetër problem i evidentuar nga Komisioni Evropian.
Nga gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash, vetëm 32 ishin gra, apo rreth 10 përqind, ndërsa vetëm katër gra u zgjodhën kryetare komunash.
Raporti thekson se kandidatet gra përballen me sulme me bazë gjinore, veçanërisht në internet, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore kishin dukshmëri të kufizuar dhe çështjet e barazisë gjinore kryesisht munguan.
“Pjesëmarrja e grave në zgjedhje, veçanërisht brenda partive politike, dhe në vendimmarrjen politike duhet të forcohet, përfshirë përmes kuotave”, thekson Komisioni Evropian.
Nga ana tjetër, sipas regjistrit për vitin 2025, gratë përbënin mbi 57,5 përqind të të punësuarve në shërbimet publike, duke përjashtuar ushtrinë dhe disa agjenci të zbatimit të ligjit.
Pabarazitë në punësim dhe shëndetësi vazhdojnë
Raporti evidenton një hendek të theksuar gjinor në tregun e punës. Në vitin 2025, shkalla e aktivitetit ekonomik të grave ishte 56,3 përqind, krahasuar me 76,8 përqind te burrat.
Sipas KE-së, kjo pabarazi lidhet me punën e papaguar të kujdesit, mundësitë e kufizuara për kujdesin ndaj fëmijëve dhe përqendrimin e grave në sektorë me paga të ulëta, si bujqësia, tekstili dhe tregtia me pakicë.
Megjithatë, është shënuar përmirësim sa i përket hendekut gjinor në paga, i cili është ngushtuar nga 14,5 përqind në vitin 2024 në 12,3 përqind. Raporti e lidh këtë me zbatimin e ligjeve për transparencën e pagave dhe ndarjen e dy milionë eurove subvencione për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë.
Pavarësisht se gratë janë më të shumta se burrat në arsimin e lartë, kjo nuk reflektohet në rezultate përkatëse në tregun e punës.
Probleme evidentohen edhe në shëndetësi, veçanërisht për gratë në zonat rurale dhe komunitetet e margjinalizuara.
“Gratë vazhdojnë të raportojnë se gjinekologët e kujdesit shëndetësor parësor u kërkojnë në mënyrë të paligjshme pagesa për shërbime që duhet të jenë falas”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se, megjithëse ekzistojnë programe parandaluese për kancerin e qafës së mitrës dhe kancerin e gjirit, qasja në këto shërbime nuk është e njëtrajtshme.
Në përgjithësi, KE-ja kërkon përmirësimin e zbatimit të legjislacionit, forcimin e mbrojtjes për viktimat e dhunës dhe harmonizimin e mëtejshëm me standardet evropiane për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për barazinë gjinore: Barazia gjinore mbetet vetëm në letër, KE-ja e ritheksoi se RMV-ja nuk ka shënuar përparim