Fillkov: Provimi i jurisprudencës të mbahet vetëm maqedonisht, zgjidhja e Shasivarit është hibride

Lëvizja ZNAM nuk heq dorë nga qëndrimi i saj lidhur me mënyrën e mbajtjes së provimit të jurisprudencës. Qëndrimin e njërit prej partnerëve në pushtet dje e përsëriti ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Bordit Qendror të partisë, Igor Fillkov, i cili deklaroi se Kushtetuta dhe ligjet nuk lejojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, transmeton Portalb.mk.

Fillkov tha se Lëvizja ZNAM do të mbetet konsekuente dhe parimore në qëndrimin e saj, të cilin, siç shtoi, e kishte mbrojtur edhe gjatë kohës kur ushtronte funksionin e ministrit të Drejtësisë. Ai e quajti “hibride” zgjidhjen që propozon pasardhësi i tij në këtë funksion, Jeton Shasivari nga VLEN, duke pretenduar se për të kishte mësuar nga mediat.

Ish-ministri thotë se nuk bëhet fjalë nëse ai është “kundër” apo “pro” zgjidhjes së propozuar, por thekson se ajo që e shqetëson është fakti se kjo zgjidhje është refuzuar kategorikisht nga ata që kundërshtojnë të japin provimin në gjuhën të cilën, siç tha ai, nesër duhet ta përdorin në institucionet ku synojnë të punojnë si gjykatës, avokatë dhe prokurorë.

“Së pari, për atë zgjidhje hibride, le ta quajmë kështu, unë mësova nga ju, mediat. Unë nuk kundërshtoj që dikush ta japë provimin në atë gjuhë që lejohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Ajo që më shqetëson është se kjo zgjidhje hibride u refuzua kategorikisht nga ata që protestojnë dhe kundërshtojnë të japin provimin në gjuhën që nesër duhet të përdoret në të gjitha ato institucione ku planifikojnë të punojnë si gjykatës, avokatë, prokurorë e të ngjashme. Kjo është më shumë se shqetësuese”, deklaroi Filkov, i cili qëndroi në pozitën e ministrit të Drejtësisë deri në qershor të këtij viti, kur pas rikonstruimit të Qeverisë në vend të tij erdhi Jeton Shasivari.

Tema e mënyrës së mbajtjes së provimit të jurisprudencës mori dimensione të reja në diskursin politik në vend pas deklaratës së liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Ai të premten, në një intervistë për TV Sitel, tha se partia e tij do të largohet nga Qeveria nëse pranohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ai shtoi se qëndrimet e ZNAM-it për këtë çështje janë të njohura për kryeministrin Hristijan Mickoski.

Dimitrievski paralajmëroi se në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkojë një takim të liderëve, ku do të diskutohej hapur dhe do të përcaktoheshin vijat e kuqe me partnerët e koalicionit lidhur me këtë çështje, si dhe çfarë do të nënkuptonte ajo për të ardhmen e shtetit dhe të gjithë sistemin gjyqësor.

Duke komentuar qëndrimin e Dimitrievskit dhe ZNAM-it, nga opozitarja LSDM vlerësuan se çështja e provimit të jurisprudencës po shtyhet përpara me qëllim që të krijohet përshtypja e një përplasjeje dhe tensioni të pretenduar brenda koalicionit qeverisës. Sipas tyre, kjo do t’i jepte alibi kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe njëkohësisht do të shmangte përgjegjësinë për rrezikimin e stabilitetit financiar për shkak të rastit me Alta Bankën dhe arkës së zbrazët shtetërore.

Reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët, nga ku, duke e quajtur liderin e ZNAM-it “patriot me bateri”, deklaruan se çështja e provimit të jurisprudencës i nevojitet atij për ta përdorur në fushatën parazgjedhore dhe për ta përmirësuar rejtingun, pasi e di se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edhe deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj deklaratave të Lëvizjes ZNAM.

“Mos i merrni seriozisht ZNAM-in e Maksit. Ata thoshin se nuk mund të shkarkohet Fillkovi, por e dini si përfundoi kjo histori”, ka thënë Azizi.

Provimi i jurisprudencës, thekson ai, do të jepet në gjuhën shqipe i pëlqeu kjo ZNAM-it ose jo, “sepse për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i e jo ZNAM-i”.

Zgjidhja që propozon ministri aktual i Drejtësisë, Shasivari, për të cilën së fundmi foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, parasheh që pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës të mbahet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën është studiuar.

Studentët dhe fakultetet në gjuhën shqipe nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe kanë paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, do të dalin sërish në protesta. Konkretisht, pesë fakultete ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.

Ministri i Drejtësisë muajin e kaluar, në një deklaratë për mediat, tha se përmes dialogut me studentët dhe fakultetet synon të arrihet një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht e qëndrueshme dhe evropiane. Ai paralajmëroi gjithashtu se kishte kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias për ndryshimet e propozuara lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës, me qëllim që të sigurohet, siç tha, siguri shtesë juridike dhe harmonizim me standardet evropiane.

Gjuha shqipeIgor FillkovJurisprudencaVLEN koalicioniZNAM