Gjykata Kushtetuese në RMV hapi rast mbi vendimin e qeverisë për numrin e anëtarëve të këshillave lokal

Gjykata Kushtetuese ka hapur rast mbi dy nisma për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit me të cilin Qeveria më 24 shtator 2024, përcaktoi numrin e anëtarëve të këshillave komunale. Nisma e parë është nga Skender Rexhepi, sipas të cilit vendimi i kontestuar krijon pasiguri ligjore, sepse Qeveria e ka miratuar këtë vendim pa autorizim ligjor, transmeton Portalb.mk.

“Nisma thotë se Qeveria nuk ka autorizim ligjor për vendime të tilla dhe se numri i anëtarëve të përcaktuar me vendimin e kontestuar është i ndryshëm nga mënyra e parashikuar në nenin 34 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale. Thuhet se Vendimi nuk përmban të dhëna mbi bazën e të cilave është përcaktuar numri i anëtarëve të këshillave, gjë që e bën atë të paqartë dhe në kundërshtim me nenin 9, paragrafi 3 të Kushtetutës”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Nisma e dytë për të vlerësuar këtë vendim qeveritar është paraqitur nga Qenan Alija, i cili thotë se është në kundërshtim me nenin 8, paragrafi 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

“Nisma thotë se dega ekzekutive nuk mund të përcaktojë numrin e anëtarëve në këshillin komunal në kundërshtim me të dhënat zyrtare të marra nga Regjistrimi i vitit 2021”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Në seancën e 24 shtatorit 2024, qeveria përcaktoi numrin e anëtarëve të këshillave komunale bazuar në, siç u tha, Ligjin për Qeverinë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Sipas vendimit të qeverisë, numri minimal i anëtarëve të një këshilli komunal është 9, dhe maksimumi është 27 anëtarë.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, numri i anëtarëve në këshillin komunal përcaktohet sipas numrit të banorëve në komunë, dhe nuk mund të jetë më pak se 9 për komunat me nën 5,000 banorë dhe më i madh se 33 për komuna me mbi 100,000 banorë.

Përndryshe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.

Gjykata Kushtetuese RMVZgjedhje lokale RMV 2025