Gashi për Kitanoviqin që glorifikoi kriminelin e luftës: Qeveria vendos a duhet të shkarkohet

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në pyetjen e Portalbit se kur do të shkarkohet drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq për shkak të deklaratave të tij skandaloze në glorifimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, tha se këtë e vendos qeveria e RMV-së. Kujtojmë se Gashi është pjesë e partisë shqiptare në pushtet, shkruan Portalb.mk.

“Ajo është çështje e Qeverisë dhe është emëruar nga Qeveria, por ne kemi bërë thirrje që të veprohet në këtë drejtim, pasi deklaratat e tilla janë të papranueshme”, tha Gashi.

Sipas tij, një gjuhë e tillë është e papërshtatshme sepse mund të dëmtojë marrëdhëniet mes komuniteteve dhe bashkëjetesën në vend.

“Ajo gjuhë është e papërshtatshme, pasi e prish harmoninë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve dhe vizionin e shtetit multietnik”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Kujtojmë se të premten (28 gusht) drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, shpërndau një përmbajtje glorifikuese ndaj figurave çetnike dhe ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq i njohur si “Kasapi i Ballkanit” për krimet e kryera. Edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si „shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë“.

Glorifikimi i kriminelit të luftës nxiti reagime dhe kërkesa për llogaridhënie nga një sërë subjektesh politike, përfshirë LSDM-në, BDI-në, SDA-në e Maqedonisë dhe PLD-në.

Pas reagimeve të bujshme në opinion, reaguan edhe partitë në pushtet VLEN dhe VMRO si dhe Qeveria e cila nuk e shkarkoi atë por është distancuar nga postimi i tij duk i kërkuar ta tërheqë qëndrimin e tij. Nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, nga Kitanoviqi pritet të japë dorëheqje nga funksioni që ushtron.

Glorifikimi, mohimi ose minimizimi i gjenocidit dhe i krimeve të luftës, sipas ligjit mund të përbëjë edhe vepër penale. Neni 407a i Kodit Penal parashikon përgjegjësi penale për mohimin publik, minimizimin, miratimin ose arsyetimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, përfshirë rastet kur këto bëhen përmes sistemeve informatike.

Bota serbe

 Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “ShëSavës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.

Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.

Afrim GashiGjenocidMasakra e SrebrenicësQeveria e Maqedonisë së Veriut