Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë ndaj një shtetasi meksikan, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë”, nga neni 383, paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Më 19 shtator, gjatë manifestimit “Oktober Fest – tingujt e kulturës”, në parkun “Gjorçe Petrov”, i dyshuari ka lënduar fizikisht një pjesëtar të policisë, i cili ishte përpjekur ta identifikonte. Ai e ka goditur policin në kokë me një kanaçe birre, ndërsa më pas e ka sulmuar sërish fizikisht dhe e ka goditur në duar kur polici ka tentuar ta arrestojë.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një person pa qëndrim të regjistruar në vend, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rrezik arratisjeje dhe gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin 31-vjeçar.