Gratë kanë qenë dukshëm më pak të përfaqësuara në mediat gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ndërsa burrat kanë dominuar si bartës të mesazheve politike, tregojnë të dhënat e analizës së publikuar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AShMA), transmeton Portalb.mk.
Analiza “Gjinia në media 2025”, e prezantuar në mbledhjen e tretë publike të AShMA-së për këtë vit, ka shqyrtuar raportimin zgjedhor në edicionet qendrore të MRT 1 dhe MRT 2, si dhe reklamimin e paguar politik në televizionet kombëtare Alsat-M, Alfa, Kanal 5, Sitel dhe Telma.
Nga gjithsej 791 paraqitje të subjekteve kryesore në raportimet zgjedhore të servisit publik, gratë janë paraqitur 103 herë, përkatësisht 13 përqind, ndërsa burrat 688 herë ose 87 përqind.
Ngjashëm është situata edhe në spotet e reklamimit të paguar politik në televizionet komerciale. Nga gjithsej 588 paraqitje të subjekteve kryesore, 64 kanë qenë gra, ose 10,9 përqind, ndërsa 524 burra, përkatësisht 89,1 përqind.
Pabarazia më e theksuar është regjistruar në spotet me pamje nga ngjarjet partiake. Nga gjithsej 44 paraqitje të subjekteve kryesore në këto spote, nuk është regjistruar asnjë paraqitje e një gruaje.
Në spotet politike me skenar, gratë kanë pasur 64 nga gjithsej 544 paraqitje, ose 11,8 përqind.
Sipas analizës, çekuilibri gjinor ka qenë veçanërisht i theksuar te rolet politike më të ekspozuara, veçanërisht te kandidatët për kryetarë komunash dhe liderët partiakë. Përfaqësimi ka qenë më i balancuar te kandidatët për këshilltarë.
Në të njëjtën kohë, analiza nuk ka identifikuar raste të objektivizimit seksual apo diskriminimit të qartë gjinor në materialet e analizuara.
Hulumtimin për nevojat e AShMA-së e ka përgatitur agjencia e marketingut “Market Vision”.
Kujtojmë se shifrat nga hulumtimet tregojnë se gratë dhe burrat nuk kanë qasje të barabartë në institucione dhe në politikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozita që marrin vendime ose përcaktojnë politika. Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, vetëm 4 nga gjithsej 81 pozitat e kryetarëve të komunave i drejtojnë gra. Në Qeverinë e formuar në vitin 2024, vetëm 3 nga 20 ministrat e dikastereve janë gra. Ngjashëm është edhe në arsim: megjithëse gratë përbëjnë 58,6 përqind të kuadrit në arsimin e mesëm, vetëm 10,8 përqind të pozitave me kompetencë vendimmarrëse, siç janë ato të drejtorëve, i mbajnë gratë.